Ushtria në trafik droge, PS-LSI: Komision hetimor për të vërtetën

2015-08-22 1

Mazhoranca i kundërpërgjigjet opozitës duke depozituar në Kuvend kërkesën e grupit të PS-së dhe LSI-së për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për verikimin e plotë të fakteve dhe provave të akuzave të PD për përfshirjen e Forcave të Armatosura në trafikun e drogës.

Kërkesa në emër të PS-së dhe LSI-së është depozituar në Kuvend nga nënkryetari i grupit të PS-së Taulant Balla.

Komisioni Hetimor do të ketë objekt të punës së tij: "Verifikimin e akuzave të artikuluara publikisht nga përfaqësues të lartë politikë kundrejt Forcave të Armatosura për vënien në dispozicion të infrastrukturës së Ushtrisë për veprimtari kriminale: "transport i lëndëve narkotike".

"Zbardhja e plotë të motiveve dhe arsyeve, si dhe tregimin e fakteve dhe provave, mbi të cilat janë mbështetur këto akuza, kanë një rëndësi të veçantë për imazhin e Forcave të Armatosura të një vendi anëtar të NATO-s, në përmbushje të detyrimeve që rrjedh nga ky anëtarësim.", deklaroi sot Taulant Balla.

"Ngritja e këtij komisioni, shikohet si një garanci për të provuar ose në të kundërt për të përgënjeshtruar akuzat e ngritura nga përfaqësues të lartë politikë", thotë mazhoranca.

Sipas Ballës ky "Komision Hetimor Parlamentar do të kërkojë administrimin e provave dhe fakteve, mbi të cilat këta përfaqësues të lartë politikë kanë mbështetur akuzat e tyre kundrejt Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për vënien në dispozicion të disa bazave ushtarake dhe të infrastrukturës së Ushtrisë për veprimtari kriminale: "transport i lëndëve narkotike".

Nëpërmjet ngritjes së këtij komisioni kërkohet edhe informimi i opinionit publik, për vërtetësinë ose pavërtetësinë e këtyre akuzave. Kërkohet të informohet opinioni publik për angazhimin që ka marrë përsipër Qeveria shqiptare, për të identifikuar dhe parandaluar cdo shfaqje dhe veprim korruptiv me pronat dhe infrastrukturën e Forcave të Armatosura si dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, me qëllim rikthimin e dinjitetit të munguar dhe vendit që i takon Forcave Armatosura.