A1 Report - PD: "Rilindja" ne Korçe veteflijon 1 nene, ve drejtues me precedente

2015-08-22 5

TIRANE -- Denoncimet e Partisë Demokratike për emërime të personave me precedentë në poste zyrtare, këtë radhë janë përqendruar në qytetin e Korçës, duke marrë shkas dhe nga vetëvrasja e një 52-vjeçareje e cila u bë shkak për sulme poltike mes palëve për shkaqet që e çuan drejt vetëflijimit.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike Laura Vorpsi solli tre emërime në institucione që sipas saj janë persona me precedentë penalë.

"Drejtor i Metrologjisë është emëruar Muharrem Meko, ish-kryetar i PS-së në Korcë, i dënuar nga Gjykata për veprën penale të pengimit të vendimit gjyqësor.

Në krye të kualifikimit profesional, është emëruar Anxhela Taho, kryetarja e FRESH-it, e cila është e përfshirë në hetimet e prokurorisë si organizatorja e blerjes së votave për zgjedhjet lokale në Korçë, e kapur në flagrancë me zë e me figurë.

Drejtor i Shërbimit Pyjor në Korçë, është emëruar Arsen Selimi, ndaj të cilit një gjykatë në Amerikë ka vendosur t'i refuzojë qëndrimin atje dhe ta kthejë në Shqipëri me akuzën e dhunës në familje dhe të mashtrimit", tha Vorpsi.

Përmes kësaj deklarate ajo kërkoi përgjigje nga kryeministri Rama se në cilin nen të kodit të etikës ka zbatuar në këto tre emërime.

"Në kodin e etikës, Rama është angazhuar për transparencë dhe përgjegjshmëri ndaj publikut. A mund t'i thotë Kryeministri publikut, se cilin nen të kodit ka respektuar ai, në rastet që ne kemi denoncuar e denoncojmë çdo ditë me emërimet e personave me precedent penalë, në zyrat e punës, në CEZ, në sektorët kyç të Ministrive, në drejtoritë rajonale, nga Korça, Kavaja, Tropoja e kudo në Shqipëri", përfundoi deklaratën për media zëdhënësja e Partisë Demokratike Laura Vorpsi.