TIRANË - Arrestohet një nga organizatorët kryesorë të dërgimit të shqiptarëve për të luftuar në Siri. Gerti Pashja, 30 vjeç, është sjellë në pranga ditën e sotme në Rinas mnga autoritetet turke ku dhe ishte arrestuar.
Gerti Pashja, ndodhej në Turqi edhe pse emri i tij rezultonte në listën e përpiluar nga policia dhe prokuroria si një organizatë që mblidhte qytetarë shqiptarë dhe bashkë me familjet e tyre dërgoheshin për të luftuar në Siri.
Pashja, kthehej nga Turqia, ndërsa pritej të mbërrinte nga oficerët e policisë gjyqësore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Pashja ishte ndaluar në Turqi nga policia vendase në bazë të urdhërit të arrestit të nxjerrë nga prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri.
Për të shmangur procedurat e gjatë të ekstradimit, për të është marrë vetëm masa e dëbimit në Shqipëri dhe në Rinas ai pritej nga oficerët.
Pashja është i arrestuar i nëntë i Prokuorisë së Krimeve të Rënda, për rrjetin e rekrutimit të xhihadistëve në Shqipëri, ndërsa janë në kërkim edhe 4 të tjerë.
Grupi i rekrutimeve drejtohej sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda nga imami i xhamisë së Unazës së Re, Genci Balla dhe imami i xhamisë së Mëzezit, Bujar Hysa.
30-vjeçari nga Peqini kishte rolin e pritësit në Turqi të muxhahedinëve që vinin nga Shqipëria dhe kalimin e tyre në kufirin me Sirinë.