A1 Report - Adami dhe Eva në Tirane, vepren e Ticianos e solli 1 vejushe italiane

2015-08-22 6

TIRANE- Zbulohet rruga se si mund të ketë ardhur në Shqipëri "Adami dhe Eva" tabloja e 1547 me autor mjeshtrin italian Ticiano.

Në vitin 1941, në fillim të tetorit mbërrijnë në pallatin mbretëror, në Tiranë 7 tablo, mes të cilave edhe "Adami dhe Eva", dërguar nga një vejushë italiane me mbiemrin e njohur Gaudenzi.

Ky fakt zbulohet në një dosje me dokumente në italisht në fondin e Mëkëmbësisë në Arkivin Qëndror të Shtetit. Nga kjo dosje kemi shkëputur këto tre dokumente që flasin pikërisht për këto shtatë tablo të së vesë Gaudenzi sistemuar në Pallatin Mbretëror në Tiranë, në 1941.

Dokumenti i parë është një kërkesë e Ministrisë së Jashtme Italiane për Mëkëmbësinë e Përgjithshme në Tiranë, ku i kërkohet kësaj të fundit me urgjencë fatura e inventarit të tablove të vejushës Gaudenzi të sistemuara në Mëkëmbësinë e Përgjithshme.

Pas këtij telegrami të 24 nëntorit 1941 nga mëkëmbësia e përgjithshme duket se është dërguar lista me 7 tablotë e renditura me titujt përkatës, ku e dyta është vepra "Adami dhe Eva".
Gjashtë ditë më vonë, me 30 nëntor 1941 po nga Minsitria e Jashtme Italiane përcillet prosesverbali i kërkuar.

Shqiptarja.com i sjell të plota këto tre dokumente, duke rikujtuar se vepra "Adami dhe Eva" u analizua së bashku me 18 vepra të tjera në vitin 1967 nga një komision i përbërë prej Odhise Paskalit, Foto Stamos e Vilson Kilicës. Ajo ruhet sot në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe u bë publike një ditë më parë nga gazeta jonë së bashku me veprën e Paul Rubens "Shën Sebastiani", po ashtu pronë e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.