A1 Report - Publikimi i sms të Tahirit, Vasili: Te zbardhet si e zbuloi Noka

2015-08-22 0

TIRANE -- Publikimi në mënyrë misterioze i sms të ministrit Tahiri nga deputeti demokrat Falmur Noka dhe pretendimi i tij se mesazhin ia ka dërguar kryeministri Rama, duhet të zbardhet nga institucionet kompetente. Ky është qëndrimi i shprehur nga kreu i grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, për sms-në e ministrit të Punëve të Brendshme që ish-mninistri Noka zbuloi për mediat ndërsa transmetonin live Komision Hetimor për lëvizjet në polici.

I pyetur nga gazetarja e televizionit A1 REPORT, Joniada Koçi se nëse me publikimin e këtij mesazhi kemi të bëjmë me përgjim apo rrjedhje informacione, dhe nëse është përgjim a fshihet pas tij Visho Ajazi Liko, Vasili u përgjigj se instrumentat për ta zbardhur këtë çështje janë, dhe duhet të përdoren.

Në një deklaratë për mediat nga selia e LSI-së, Vasili shprehu edhe komentin politik për këtë ngjarje. Sipas tij sms shpreh përgjegjshmërinë e një ministri dhe kërkesat ndaj vartësve të tij për arritjen e rezultateve, ndërsa nga ana tjetër sipas tij, shfaq stilin e poltikës nga "vrima e çelësit".

"Ka një koment politik. Opozita për fat të keq në stilin e shërbimeve demonstroi një sms që në vlerësimin tim ishte shprehje e një përgjegjshmërie e ministrit i cili shkundte strukturat vartëse të tij për të pasur rezultate më të mira e për t'i arritur në kohë. Gjithçka tjetër ka vlerë dhe duhet ndjekur, por thelbi politik ishin 2 momente: Ppërgjegjshmëri dhe një stil shumë i urryer për shqiptarët, ai stili i politikës nga vrima e çelësit", - u shpreh Vasili.