A1 Report - "Përgjimi del sheshit", Noka publikon sms-ne e Tahirit

2015-08-22 0

TIRANE - Publikimi i një mesazhi që ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka pretendon se kryeministri Rama ja ka dërguar në celular Tahirit ka ndezur në debate të forta dhe akuza sallën e Komisionit të ngritur për hetimin e lëvizjeve në polici. Ministri Tahiri, i thirrur për të raportuar në këtë komision, konfirmoi ekzistencën e mesazhit, por hodhi poshtë aludimet se ja ka dërguar kryeministri. Tahiri tha se mesazhin e ka dërguar vetë ai ndaj bashkëpunëtorëve të tij.

Por më shumë se përmbajtja e mesazhit, ajo që ka shkaktuar reagimin e mazhorancës është fakti që një ish ministër bën publik një mesazh të një ministri aktual, duke aluduar se ka përgjuar komunikimin telefonik mes kryeministrit Rama dhe ministrit Tahirit.

Deputeti socialist Blendi Klosi kërkoi ndërprerjen e seancës dhe verifikim për deklaratat e Nokës, ndërsa ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, tha që mënyra se si Flamur Noka ka marrë mesazhin të hetohet jashtë këtij komisioni.

Reagimi i Klosit erdhi pikërisht në momentin kur dhe vetë kreu i Komisionit hetimor, Arben Ristani këmbënguli të marrë përgjigje nga ministri Tahiri nëse mesazhin ja kishte cuar Rama, apo Tahiri bashkëpunëtorëve të tij.