Ekzekutohen në një atentat dy persona, njëri prej tyre biznesmen i kromit në Bulqizë. Ngjarja është regjistruar mbrëmë pas mesnate në vendin e tuajtur Ura e Tapizës në Fushë Krujë, ku autorët i kanë zënë pritë 36-vjeçarit, Gjin Nika dhe e kanë qëlluar duke e lënë të vdekur në vend.
Sipas policisë, nga të shtënat ka gjetur vdekjen edhe 33-vjeçari Fabio Xhunga, banues në Kamëz i cili e shoqëronte 36-vjeçarin.
Dy viktimat udhëtonin nga Tirana drejt Fushë Krujës me një motorr tip Yamaha me targa AA 441, në pronësi të Fabio Xhungës.
Mësohet se 36-vjecari njihet si biznesmen i kromit në Bulqizë dhe ishte liruar nga burgu disa javë më parë, ndërsa u arrestua si i dyshuar për vrasjen e dy personave pak kohë më parë në Tiranë.
Arrestimi i tij u bë pasi policia e akuzoi Gjin Nikës si autor i ekzekutimit të biznesmenit të kromit, Hasan Talja mbrëmjen e 17 janarit të këtij viti, në rrugën "Bajram Allaraj". Ndërsa është i dyshuar edhe për një tjetër ngjarje ku u përfshinë disa persona, të implikuar sërish me biznesin e kromit.
Duket se atentatorët kanë studjuar të gjitha lëvizjet e tij me kujdes derisa i kanë zënë pritë biznesmenit duke e ekzekutuar. Sipas dëshmitarëve autorët janë larguar me motorr nga vendngjarja menjëherë pas krimit.
Policia e lidh atentatin me motivin e hakmarrjes dhe ka ngritur postblloqe të shumta e vijon aksionin për të bërë të mundur kapjen e autorëve të vrasjes së dyfishtë.