TIRANE - 20 milionë dollar më shumë janë arkëtuar nga administrata doganore këtë muaj, krahasuar me marsin e një viti më parë, ndërsa për tre muajt e parë të vitit janë 12.4 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Drejtoria e Përgjitshme e Doganave ka publikuar analizën tre mujore Janar-Shkurt-Mars 2014 dhe realizimin e të ardhurave të Marsit 2014. Në muajin Mars 2014 u arkëtuan 12.2 miliardë lekë duke realizuar planin e të ardhurave në masën 103.3% duke arkëtuar 387 milion më shumë se plani.
"Plani ambicioz i të ardhurava të Ministrisë së Financave pas Marrëveshjes me FMN është një sfidë për Administratën Doganore. Rezultati i Marsit 2014 me një rritje prej 22.6 % krahasuar me Marsin 2013 është një tregues pozitiv për punën serioze të Doganës si dhe një matës i angazhimit maksimal për muajt në vijim", - bëhet e ditur në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Tremujori i parë i këtij viti ka sjellë risi për Administratën Doganore Shqiptare si:
*Përgatitjen dhe dergimin për miratim të Kodit të Ri Doganor, krejtësisht të njesuar me Direktiven e BE 952/2013, datë 9 Tetor 2013 "Kodi Doganor i Unionit";
*Fillimin e punës për implementimin e "Sportelit të Vetëm Doganor" sipas modelit të vendeve më të përparuara të Bashkimit Evropian;
*Fillimin e asistencës dhe bashkëpunimit të ngushtë me kompaninë angleze "Crown Agents";
*Çelja e Akademisë Fiskale dhe trajnimi i punonjësve të rinj të Administratës Doganore