VLORE - Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, zhvilloi sot, një inspektim në portin e Vlorës ku ndoqi nga afër marrjen e masave për sezonin e ri turistik, duke e vënë theksin tek rëndësia e këtij porti për hyrjen e turistëve.
Si çështje me rëndësi, Ministri Haxhinasto përmendi sigurinë dhe cilësinë e shërbimeve që ofohen në port dhe perspektivat e zhvillimit të tij të mëtejshëm.
"Porti i Vlorës është një port i rëndësishëm i Shqipërisë me potenciale të mëdha akoma të pa shfrytëzuara. Është shumë e rëndësishme që të arrihen disa objektiva që cilësia e shërbimeve në këtë port të rritet, që ti ofrojmë edhe udhëtarëve edhe biznesit një siguri dhe një cilësi më të lartë në shërbimet që ofron" u shpreh Haxhinasto.
Ai vijoi duke thënë se qeveria ka programin e investimeve për këtë qëllim, ku veçoi fillimin së shpejti të një projekti të ri 15 milion Euro, i mbështetur nga Koperacioni Italian, investimi i cili pritet te përmërësojë ndjeshëm infrastrukturën e këtij porti.
Ndër të tjera ministri Haxhinasto theksoi se duhet të rritet konkurueshmëria që portet Shqiptare të jenë sa më konkurues në Adriatik dhe në Mesdhe.
"Kemi programuar investimet tona dhe jam i sigurt që shfrytëzimi i potencialeve që kanë portet tona do të realizohet në vitet e ardhshme" tha Haxhinasto në përfundim të inspektimit në portin e Vlorës.
Më pas, ministri zhvilloi një takim me përfaqësues të biznesit të Vlorës ku ndër të tjerash u fol për domosdoshmërinë e partneritetit qeveri-biznes për projekte zhvillimore dhe për angazhimin konkret të komunitetit të biznesit për realizimin e veprave publike.