A1 Report - Obama: NATO e gatshme t'i pergjigjet çdo kercenimi te Rusise

2015-08-22 2

HAGE- Presidenti i SHBA-së Barack Obama ka paralajmëruar sot se NATO është e gatshme t'i kundërpërgjigjet çdo kërcënimi që mund të vijë nga Rusia. Duke folur në lidhje me krizën në Ukrainë pas përfundimit të ditës së dytë të Samitit për Sigurinë Bërthamore në Hagë, Obama tha se sanksionet për Rusinë do të vahzdojnë.

"Ne jemi duke u organizuar në mënyrë intensive që të ketë plane emergjence dhe të gjitha aleatët kanë garancinë tonë. Ne do të veprojmë në mbrojtje të tyre pa marrë parasysh se çfarë ndodh, kjo është NATO. Çdo aleat i NATO-s ka mbështetjen e të gjithëve ne, përfshirë Shtetet e Bashkuara, dhe ripërsëritim mbështetjen tonë të plotë në konceptin e mbrojtjes kolektive sipas Nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut ." tha presidenti Obama.

Presidenti i SHBA shtoi më tej duke thënë se sanksionet ndaj Rusisë do të shtohen dhe do të prekin edhe fusha të ekonomisë, tregtisë dhe energjitikës.

"Ne jemi të shqetësuar se mund të ketë shkelje të mëtejshme nga ana e Russë në territorin e Ukrainës. Varet nga Rusia nëse do të provojë të jetë përgjegjëse. Nëse Rusia do të vazhdojë më tej, janë gati sanksione që do të prekin sektorë si energjia, ekonomia dhe tregtia." tha më tej presidenti i SHBA.

Në këtë Samit, morën pjesë 50 liderë të ardhur nga e gjithë bota.

Gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar rreth orës 16:00 të ditës së sotme, Obama duke u përqendruar tek çështja e Ukrainës, tha se është e nevojshme që gjërat të zgjidhen në mënyrë diplomatike dhe se do të dërgohen vëzhgues për të monitoruar zgjedhjet që do të zhvillohen në muajin maj.

Obama theksoi se krahasimi i krizës në Ukrainë, me atë çka ndodhi në Kosovë, është absurde.

"Krahasimi mes krizës në Ukrainë dhe Kosovës është absurd. Në Kosovë u masakruan me mijëra persona dhe nuk mund të krahasohet me atë çka ndodhi në Krime. Aneksimi i Krimesë në Federatën Ruse, nuk u pranua nga pjesa më e madhe e botës dhe nëse Putin do të bëjë zgjedhje të gabuara do të ketë pasoja." tha presidenti amerikan.

Obama shtoi gjithashtu se Komuniteti Ndërkombëtar nuk e njeh aneksimin e Krimesë në Rusi dhe se po organizohen plane emergjence që të gjithë aleatët të kenë garanci për sigurinë, duke vepruar në mbrojtje të tyre, pasi kjo është NATO", tha Obama.

Gjatë konferencës për shtyp, Obama u rikthye edhe tek tema e Samitit për Sigurinë Bërthamore që u zhvillua në Hagë, duke iu referuar rrezikut që armët bërthamore mund të përfundojnë në duart e terroristëve.

"Më preokupon më shumë shpërthimi i një bombe atomike në Manhatan, në New York, se Rusia", vijoi Obama.

Ndërsa kryeministri holandez Mark Rutte foli për sanksionet ndaj Rusisë, pas aneksimit të Krimesë në Federatën Ruse, duke nënvizuar se këto sanksione, vendosen për të "goditur" ekonominë e Rusisë dhe jo të vendeve te tjera.