BDI nis fushatën "JO presidentit të njëanshëm"

2015-08-22 0

Fushatë presidenciale do të zhvilloj edhe BDI-ja, pavarësisht se nuk merr pjesë me kandidat presidencial. Nga partia shqiptare në pushtet, thonë se gjatë fushatës do të shpjegohet arsyeja e thirrjes të saj që të mos votohen kandidatët e njëanshëm presidencial. Sipas partisë së Ahmetit, injorimi i kandidatëve të njëanshëm është hap para, ndërsa majorizimi i vullnetit të shqiptarëve, kthim prapa dhe ngecje në aspektin e bashkëjetesës.

"Në të njëjtën kohë kur, partitë pjesëmarrëse në zgjedhjet presidenciale do të zhvillojnë një proces legal por të pavërtetë, BDI do të jetë krah dhe pranë çdo qytetari shqiptar. Jo për të ushtruar presion dhe as për të kushtëzuar, duke hedhur këtu me forcë çdo spekulim të tillë, por për të sqaruar përmes një bashkëbisedimi qytetar, arsyet përse përgjigjja jonë në këto zgjedhje është një JO për presidentin e njëanshëm", deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

BDI-ja rikonfirmon paralajmërimet për hapjen e ndryshimeve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit në Kuvend, pas këtyre zgjedhjeve presidenciale.

"Nisur nga e vërteta se partive u mungoi guximi e urtësia politike, për të dalë për herë të parë në histori me një kandidat të përbashkët, ne - forca më e madhe legjitime shqiptare, kërkojmë të palëkundur zgjedhjen e presidentit sipas modelit të dhjetëra vendeve evropiane: zgjedhjen në Parlament", tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Fushata e BDI-së për të mos votuar kandidatët e njëanshëm presidencial do të fillojë sonte në Kërçovë, pikërisht në një vjetorin e fitores së një kryetari shqiptar në Kërçovë, për herë të parë pas pavarësimit të Maqedonisë. Benjamin Arifi