A1 Report - Dita Botërore e Ujit, marrëveshje për ndërgjegjësimin e të rinjve

2015-08-22 5

TIRANË- Me qëllim edukimin e brezave të rinj, për rëndësinë e ujit dhe mosshpërdorimin e tij, Shoqata e Ujësjellës-Kanalizimeve nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Në kuadër të Ditës Botërore të Ujit, ky bashkëpunim realizohet për të 8-tin vit radhazi me nxënësit e shkollave, gjimnazeve dhe universiteteve. Synimi është edukimi dhe ndërgjegjësimi i të rinjve për të mbrojtur këtë pasuri natyrore.

"Është edukim midis nxënësve, midis mësuesve duke përcaktuar qartë problemet, duke ndërmarrë nisma konkrete, duke bërë si të thuash avokat të mbrojtjes së ujit, një nga burimet kryesore të jetës dhe një nga mekanizmat e domosdoshme të saj", tha Nora Malaj Zv/ministre e Arsimit dhe Sportit.

Sipas dekanit të fakultetit të Inxhinierisë Gëzim Hasko, kjo praktikë do t'u shërbejë sidomos inxhinierëve të rinj të cilët parapërgatiten për tregun e punës.

"Kjo praktik profesionale verore është një ndihmesë mjaft e madhe pasi është një mundësi praktike që jep njohuri profesionale që do të ndikojë në fillimin e karrierës së tyre në drejtimin inxhinierëve të rinj ambiental ose hidroteknik në aspekte të ndryshme të mirëmbajtjes dhe funksionimit të kompanive në drejtim të Ujësjellës- Kanalizimeve", u shpreh Gëzim Hasko, dekani i fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit.

Projekti pritet të realizohet në nivel kombëtar ,gjatë muajve të verës. Fillimisht nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, nëpërmjet disa manualeve do të edukohen nga mësuesit në shkolla, për përdorimin e ujit dhe rëndësinë e tij. Ndërsa 60 studentë nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit do të kenë mundësi të vënë në praktikë dijet e tyre në kompanitë të ndryshme të vendit.