STAMBOLL- Një sulm terrorist ka ndodhur në Turqi dje, ku si pasojë kanë humbur jetën një polic dhe një shofer kamioni ndërsa 5 ushtarë janë plagosur. Të dyshuarit si organizatorë të sulmit janë 3 shqiptarë, që dyshohet se janë pjesë e celulës terroriste të lidhur me Al-Kaedën.
Siç bëjnë të ditur mediet lokale, një makinë në të cilën ndodheshin 3 personat që flisnin arabisht ka sulmuar forcat e sigurisë turke në vendin e quajtur Nigde Ulukisla. Një shofer kamioni dhe një polic humbën jetën, ndërsa 5 ushtarë mbetën të plagosur.
Pas kryerjes së hetimeve nga policia, ministri i Brendshëm turk, bëri të ditur se 3 sulmuesit ishin shqiptar, Ata janë: 18 vjeçarët E.S dhe E.A nga Shqipëria dhe Ç.R nga Kosova, që dyshohet se kanë qenë pjesë e celulës terroriste të lidhur me Al Kaeda-n, ISID.
Sipas xhandarmërisë dhe policisë së Nigde-s, dje rreth orës 11:00 është ndaluar një makinë e dyshimtë në pikën e kontrollit në Hatay. Gjatë kësaj kohe një person nga makina ka sulmuar me automatik kallashnikov dhe granata dore forcat e sigurisë ku kanë mbetur të vrarë 2 vetë dhe janë plagosur 5 të tjerë.
Ndërsa zv/kryeministri Beshir Atalaj, ka thënë se nga informacionet që kishte marrë vuri në dukje lidhjet siriane, duke thënë se "disa njerëz mund të dëshirojnë të shkaktojë trazira para zgjedhjeve."
"Ne nuk kemi vuajtur nga sulmet terroriste për një kohë të gjatë. Është e kuptueshme se ai nuk është një sulm i brendshëm terrorist, por po vjen nga jashtë për të helmuar atmosferën parazgjedhore", ka thënë ai.