A1 Report - Kodi i ri Doganor, Rama: Raport i ri me biznesin, luftë korrupsionit

2015-08-22 0

DURRES- Kodi i ri Doganor, i cili do të hyjë në fuqi më 1 janar 2015, synon të vendosë një marrëdhënie të re të doganave dhe biznesit. Gjatë prezantimit të këtij kodi në qytetin e Durrësit, kryeministri Rama tha se theksi do të vihet në luftën ndaj korrupsionit, burokracisë dhe informalitetit. Kreu i qeverisë tha se doganat shqiptare janë në një proces rrënjësor transformimi, ndërsa theksoi se kodi i ri është unifikuar me kodin doganor europian. Ndërkaq, Rama ftoi qytetarët dhe sipërmarrësit të denoncojnë rastet abuzive.

"Është një ditë e shënuar për marrëdhëniet mes shtetit dhe biznesit, doganave shqiptare dhe importuesve dhe eksportuesve. Shënon ndërmarrjen e një hapi të madh të përbashkët e të shumëpritur në drejtim të rritjes së sigurisë për eksportuesit dhe importuesit, në drejtim të futjes së inovacionit në funksion të luftës ndaj burokracisë dhe korrupsionit. Doganat shqiptare janë në një fazë transformimi rrënjësor. Për të bërë ndryshim nga një epokë boshllëku të madh në marrëdhëniet mes shtetit dhe biznesit, në një epokë me një qasje të re ndaj biznesit. Më parë biznesi është parë si burim të ardhurash për t'u nxjerrë me hir e pahir, në një epokë ku biznesi trajtohet si partner strategjik në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm. Tashmë dogana dhe tatimet janë krahët më të cilët shteti iu shërben njerëzve të biznesit.

Ky kod është njehsimi i kodit doganor shqiptar me kodin europian. Ky transformim kërkon një seri masash dhe politikash të reja, dhe mne 1 janar të vitit të ardhshëm të bëhet e mundur që marrëdhënia e re të doganave dhe biznesit të ndërtohet në këtë formë", u shpreh kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë tha se punonjësit e doganave dhe të gjitha drejtorive përkatëse do të trajnohen për të realizuar në mënyrë të përgjegjshme dhe efikase punën e tyre. Ndërkaq, kryeministri theksoi se në themel të Kodit të ri Doganor është shërbimi ndaj qytetarit dhe biznesit.

"Do të përgatitet administrata e doganave të Shqipërisë për të përballuar sfidat që sjell ky kod i ri që në themel ka lehtësimin e skajshëm të të gjitha procedurave, dhe ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarit. Në themel të kodit shërbimi ndaj biznesit. Nuk kanë munguar ligjet tek ne, por vullneti për aplikim. Me këtë kod për ne sfida nuk është vullneti, pasi këtë e kemi, por kërkohet aftësimi i punonjësve në dogana në nivel europian. Që të punojnë me standarde evropiane. Për këtë nevojitet një proces trajnimi", tha Rama.