A1 Report - Pakti për delimitimin e ujërave Venizelos: Shpresë të ratifikohet

2015-08-21 0

GREQI- Nënkryetari i qeverisë greke, njëherësh me ministër i Jashtëm, në takimin e forumit të energjisë "Athens Energy Forum 2014", është ndalur tek marrëveshja për delimitimin e ujërave detare. Në këtë takim, Venizelos u përqendrua tek objektivat e presidencës greke lidhur me energjinë, por edhe objektivat e Greqisë në përbërje të hartës energjike evropiane, ndërsa shprehur besimin se "marrëveshja me Shqipërinë do të ratifikohet".

Venizelos iu referua edhe marrëveshjes për delimitimin e kufirit detar me Shqipërinë, që është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

"Shpresojmë që pas bisedimeve që kemi bërë me qeverinë shqiptare dhe në frymë miqësie dhe fqinjësie të mirë, marrëveshja që u nënshkrua në 2009 për delimitimin e zonave detare, shelfit kontinental dhe zonave ekonomike ekskluzive, do të ratifikohet dhe do të hyjë në fuqi, siç duam që të dy palët; gjithmonë në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, me të njëjtat rregulla referimi dhe në kuadrin e gjerë të marrëdhënieve tona të shkëlqyera që e shpien Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE, pas anëtarësimit në NATO", theksoi Venizelos.

Ndërkaq, Venizelos theksoi se presidenca greke i kushton rëndësi të veçantë çështjeve të energjisë, pasi ato influencojnë drejtpërdrejtë edhe politikën e jashtme.

Ministri i Jashtëm grek iu referua objektivave të Greqisë në "skakierën" energjetike, duke nënvizuar se vendi dëshiron një negocim unik në nivel europian, lidhur me çmimin e shitjes së gazit natyror, me qëllim arritjen e një çmimi të përbashkët, gjë që nuk do të lejonte hapësira për ulje ngritje çmimesh, siç bëhet deri më sot.