TIRANA --Presidenti i senatit francez përcolli sot garancinë se Franca e ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën e integrimit europian.
Për Jean-Pierre Bel në dhjetor 2013, Franca nuk i tha "Jo" Shqipërisë (në kuptimin e mirëfilltë të fjalës) por u pa e nevojshme që të vazhdonte axhendën e integrimit. Ai kërkoi të nënvizonte, gjithashtu se vendimet nuk merren nën presionin e asnjë grupi ekstremist.
"Nuk jam dakord. Franca nuk i ka thënë "Jo" presketivës së integrimit europian të Shqipërisë. Mes shteteve të ndryshme europiane, u pa e nevojshme që Shqipëria të vazhdonte axhendën e integrimit dhe të krijojnë një kredibilitet. Ky proces është shumë i avashtë dhe nganjëherë kemi ankesa edhe ne francezët për këtë ngadalësim. Fjala "Jo" është e pasaktë. Ne kemi thënë që do të vazhdojmë së bashku. Në vendet brenda BE-së ekzistojnë disa pikëpyetje. Ne nuk veprojmë nën presionin e asnjë grupi ekstremist, grupe që mund të kenë ide që na çojnë prapa. Çdo vendim e marrim jashtë tyre"- tha Presidenti i senatit francez në konferencën e përbashkët për shtyp me kryetarin e Parlamentit Ilir Meta.
"Franca ju ka mbështetur gjithmonë në rrugën tuaj drejt BE e keni pasur këtë mbështetje edhe gjatë presidencës franceze. Jemi krah jush t'ju dëgjojmë dhe tju japim kredibilitetin e nevojshëm."- nënvizoi më tej.
.
Ndërsa kreu i Parlamentit, njëkohësisht dhe kreu i LSI-së, i pyetur se sa është e sigurtë mazhoranca se Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat në qershor u përgjigj diplomatisht: "Mazhoranca është e sigurtë në rritjen e ekonomisë, dhe klimën e përmirësimit të biznesit dhe rritjen e punësimit ". Ai ftoi opozitën të jetë pjesë e reformës territorial.
"Fryma e integrimit dhe jo bllokimit duhet të na udhëheqë. Jemi maksimalisht të vendosur për një konsesus të plotë, ku opozitës i është afruar një partneritet i plotë. Edhe pse i ka votat mazhoranca pret që opozita të zërë vendet në komision shpresoj që të frymëzohen nga integrimi e jo bllokimi. që është një sëmundje e vjetër dhe pengon integrimin," tha Meta.
VIZITA E JEAN PIERRE BEL NE TIRANE
Me ftesë të Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, mbërriti sot në Tiranë për një vizitë dyditore, Presidenti i Senatit të Francës Jean-Pierre Bel.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti rreth orës 11:15 në një takim në Kryesinë e Kuvendit, Presidentin e Senatit të Francës Jean-Pierre Bel dhe delegacionin që e shoqëron.
Ndërkaq, pas takimit dy homologët pritet të kenë një prononcim të përbashkët për mediat në orën 12:15.
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Presidenti i Senatit të Francës Jean-Pierre Bel do të takohet me krerët më të lartë të vendit, Presidentin e Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani, Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.