A1 Report - Thellohet skandali i Gorese nuk pagoi kontributet per punonjesit

2015-08-21 8

TIRANE- Thellohet edhe më shumë skandali i televizionit të Arqile Goresë. Pas publikimit të lajmit në gazetën "Shqiptarja.com" se televizioni AdriaNet në pronësi të ish-drejtorit të postës, dalin edhe fakte të tjera përsa i përket abuzimeve të kryera nga ana e Goresë.

Sipas burimeve bëhet me dije, se Arqile Gorea është një nga shkelësit më të mëdhenj të legjislacionit shqiptar për sigurimet shoqërore, pasi asnjë nga punonjësit e tij të televizionit AdriaNet nuk ka përfituar pagesat e kësaj takse, pavarësisht se iu është mbajtur nga paga mujore. Lajmi bëhet i ditur në rrugë jo zyrtare, pasi disa nga punonjësit në televizionin AdriaNet janë larguar nga puna përshkak se pronari i tyre nuk kishte kryer pagesat e sigurimeve shoqërore, pra i kishte mashtruar ata.

Situata
Aktualisht situata në këtë televizion është katastrofike, pasi është kthyer në një organ të Partisë Demokratike, duke u përfshirë në zgjedhjet e brendshme të saj. Konkretisht, që prej disa ditësh Arqile Gorea ka futur në transmetimin e televizionit të tij disa njoftime përsa i përket anëtarësimeve në Partinë Demokratike. Veç kësaj, bëhet me dije se pavarësisht se i ka mbajtur punonjësit në punë jashtë çdo aspekti ligjor, Arqile Gorea ka vijuar duke mos i paguar ato për punën që kanë kryer në atë televizion.

Sipas burimeve, bëhet me dije se kjo situatë ka mbi tre muaj që ka vijuar pa paguar, ku krahas pagës së mohuar, Gorea i ka mashtruar ata edhe duke mos i paguar as detyrimet për sigurimet shoqërore. Por kjo përbën një shkelje shumë të rëndë përsa i përket ligjit shqiptar.

Skandali
Një ditë më parë, gazeta "Shqiptarja.com" botoi lajmin nga ku bëhej me dije skandali se televizioni në pronësi të Arqile Goresë, një nga njerëzit më të afërt të Berishës, të cilin e vuri edhe si kandidat për zgjedhjet parlamentare, e kishte kthyer median e tij në organ të Partisë Demokratike. Kësisoj, shkeljet e Arqile Gores janë edhe më të mëdha pasi krahas ndalimit që bëhet me ligj për propagandën politike në favor të një subjekti partiak, ai ka shkelur edhe ligjet e sigurimeve të detyrueshme të punonjësve pasi të gjithë personat që kanë pas kanë punuar në këtë televizion nuk janë të shënuar në listën e kontribuesve të sigurimeve shoqërore.

Kësisoj edhe ky televizion tashmë kryen vetëm funksione në favor të PD-së, pasi edhe stafi i tij është reduktuar ndjeshëm, ku çdo muaj largohen njerëz nga puna përshkak se pronari i medias nuk kryen detyrat e tij para ligjit duke i mohuar punonjësve pagën mujore si edhe sigurimet shoqërore.