Banka e Shqipërisë kërkon nga bankat private të nivelit të dytë, që të jenë rigoroze ndaj zbatimit të masave të diktuara nga ligji. Guvernatori Ardian Fullani, u kërkoi sot bankave tregtare të ulin interesat e kredive për sektorin privat. Sipas tij, bankat kanë hapësira për të menaxhuar më mirë kostot e tyre, veçanërisht ato të sigurimit të fondeve në valutë të huaj. Ai gjithashtu kritikoi bankat e mëdha të sistemit, për frenimin e kreditimit në ekonomi. Në fjalën e tij kreu i Bankës Qëndrore u kërkoi bankave të bëjnë përmirësime, duke filluar nga cilësia e burimeve njerëzore. Fullani paralajmëroi nisjen e shpejtë të procesit të pastrimit të bilanceve të bankave nga kreditë e humbura, pa shpresë kthimi. Rregullimi i sistemit bankar dhe pastrimi i kredive të pakthyeshme, është një nga kushtet e marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Për lehtësimin e këtij procesi, po ndërmerren edhe ndryshime në legjislacionin tatimor dhe në kuadrin rregullator të Bankës së Shqipërisë.