Botimi në gjuhën shqipe i 5 dramave të panjohura për lexuesin shqiptar të Luigi Pirandellos, është një lajm vërtet i bukur për jetën tonë letrare e artistike, mjaft të vakët, duhet thënë. Por falë punës së palodhur të përkthyesit fin Amik Kasoruho lexuesi shqiptar do të kenë në dorë këto pesë drama të mrekullueshme të Pirandelos: Mendohu mirë, Xhakomino; Limona nga të Sicilisë; Kësulja me zilka; Kështu është (po t'ju mbushet mendja), dhe Sonte do të recitohet pa tekst.
Botimi është realizuar nga shtëpia botuese LBN editor, një ent botues i drejtuar nga Vito Stigliani dhe Luigi Nidito, dy dashamirës të kulturës dhe artit, të cilët po kontribuojnë kohët e fundit edhe në botimet në gjuhën shqipe.
Botimi i këtyre dramave të Pirandelos, është shoqëruar nga vetë përkthyesi me një parafjalë, që jo vetëm e prezanton më së miri këtë botim, por na njeh e na josh drejt zbulimit të botës së pazakontë shkrimore të Pirandelos. Më poshtë po e sjellim të plotë shkrimin hyrës të përkthyesit Kasoruho.
Çdo dramë e Pirandello-s është gjithmonë diçka e re dhe e beftë: kaq të larme janë temat që shtjellon, kaq të ndryshme metodat, kaq të shumta pikësynimet. Sikundër edhe për disa autorë bashkëkohës të tij mund të thuhet me plot gojën, pa frikë se paralelizmi mund t'i hyjë në hak dikujt, se ishte një shkrimtar i madh. Në këte mënyrë i shpëtohet mëkatit të analizave të mërzitshme, të përkufizimeve deri diku të njëanshme, të arsyetimeve të stërholluara që mund të nisin kollaj fort nga verizmi i Verga-s për të mbërritur te psikanaliza e Freud-it me shokë: sepse mendimi pirandelian përfshin një hark kohe, një larmi mendimesh, një tërësi trajtimesh letrare që vështirë se mund të futen brenda kallëpëve të analizave kritike: ai është tepër i madh për t'u ndryrë në kufizat e një shkolle letrare a të një rryme mendimi;ai është aq i afërt me njeriun dhe e njeh aq mirë botën e tij sa mund të mendohet që ndodhet diku jashtë jetës së rëndomtë për të vërejtur ate që shpaloset në sytë e të gjithëve por që nuk jemi në gjendje ta rrokim; për të vënë gishtin mbi plagë që shpesh durohen në heshtje e pa bujë e pohë sikur njeriu ta kishte për borxh një gjë të tillë dhe për të qarë hall pa moralizuar në zbrazëti: ai s'është një gjyqtar por një njeri që e do si pak kush të vërtetën e jetës, e cila nuk është gjithnjë ajo që pandehim.
Tregimet dhe dramat e tij janë fort të lidhura midis tyre dhe shpesh burojnë nga njera tjetra: kur drama rrjedh nga një tregim i shkruar më parë ai mbërrin një koncizitet të rrallë: dialogu i tij është i kursyer por godet në shenjë, sepse të vërtetat e mëdha din t'i transmetojë me fjalë të thjeshta. Kësisoj anormaliteti në situatat pirandeliane shndërrohet në një lloj sistemi jete krejt të natyrshëm, pa e vrarë mendjen mbi çka e lidh me botën përqark. Jeta, për Pirandello-n, nuk përmbyllet në aksiomen dekartjane "mendoj pra jam": edhe kur nuk mendohet, edhe kur pavetëdija i shtyn qeniet njerëzore të ecin gjithsesi, herë të hallakatura e herë ...