KIEV - Parlamenti ukrainas ka votuar rreth orës 16:15 "impeachment", vënien nën hetim e gjykim, ndaj Presidentit Viktor Janukoviç, si dhe shkarkimin e tij. Gjithashtu paradite, u shkarkua me 332 vota edhe ministri i Brendshëm, Vitaly Zakharchenko. Ndërkaq është vendosur 25 maj e këtij viti për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme presidenciale, ndryshe nga sa ishte parashikuar në marrëveshjen e arritur me BE-në për zgjedhje të parakohshme në muajin dhjetor.
Ndërkohë, Yanukoviç është larguar nga Kievi mbrëmjen e të premtes, në Kharkiv, një qytet i Ukrainës jugore në kufi me Rusinë, ku presidenti gëzon mbështetës dhe ku protestat anti-qeveritare kanë qenë më të rralla. Nga Kharkivi, Yanukoviç akuzoi opozitën se po tenton të organizojë një grusht shteti dhe ka marrë nën kontroll qytetin dhe parlamentin. Ai deklaroi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit.
Pas votimit në Parlament, liderja e opozitës ukrainase Yulia Tymoshenko është liruar nga burgu. Duke folur pas lirimit nga burgu, Yulia Tymoshenko u shpreh se "Diktatura ra". Sipas "BBC", Tymoshenko e cila u dënua në 2011 me 7 vite burg për shpërdorim të pushtetit, u largua me një makinë.
Lirimi i saj ka qenë një nga kërkesat kyç të protestës.
Nga mëngjesi i sotëm, Kievi është në duart e aktivistëve. Grupi opozitar ka marrë tashmë në kontroll parlamentin, Këshillin e Ministrave dhe administratën Presidenciale. Sipas Andriu Parubiy, komandanti i forcave antiqeveritare, "opozita ka marrë në kontroll të gjithë institucionet qeveritare".
Sot, ushtria, që deri dje mbështeste Presidentin, ka dalë kundër tij dhe është në mbështetje të protestuesve. Ndërkaq forcat e policisë në Ukrainë kanë braktisur pozicionet rreth kryeqytetit.
Edhe sipas mediave ndërkombëtare, efektivisht opozita ka marrë nën kontroll qytetin dhe parlamentin.
Paraditen e sotme Parlamenti ukrainas autorizoi Oleksander Turchynov, për krijimin e një qeverie të re. Emërimi i tij, ka ardhur pas një votimi me 288 vota pro dhe lajmi është bërë i ditur paraprakisht nga mediat ukrainase. Turchynov është edhe ish-krahu i djathtë i Yulia Tymoshenko-s, e cila sipas mediave ndërkombëtare është liruar nga burgu.
Simboli i Revolucioni portokalli, në burg që prej vitit 2011-të dhe lirimi i menjëhershëm i saj është aprovuar nga Parlamenti i vendit, në bazë të një vendimi të Gjykatës Europiane, për të drejtat e njeriut. Drejtimi i Ukrainës, mbetet në pikëpyetje, ndërkohë që në Sheshin "Pavarësia" të Kievit, vijojnë të jenë të pranishëm rreth 100 mijë protestues.
Protestat në Kiev nisën tre muaj më parë, kur presidenti i vendit Yanukovych, pas disa viteve përpjekje, refuzoi firmosjen e marrëveshjeve politike dhe tregtare me Bashkimin Europian, duke shkakruar revolt popullore. Manifestuesit deklaruan se nuk do të ndalonin protestat, deri në dorëheqjen e qeverisë dhe largimin e presidentit.