A1 Report - Këshilli Bashkiak shkarkon të djathtët, braktiset mbledhja "farsë"

2015-08-21 6

TIRANE- Pas një ngërçi disamujor, Këshilli Bashkiak i Tiranës është mbledhur sot në orën 17:00 nga kryetari i ri Aldrin Dalipi për të miratuar një sërë vendimesh të rëndësishme. Në mbledhjen e sotme, Këshilli ka miratuar dhënien e kredisë për strehimin e 679 personave që kishin aplikuar për të përfituar nga ky program social.

Gjatë mbledhjes ka pasur diskutime mes këshilltarëve të majtë dhe të djathtë për shpronësimin e pronarëve te Stacioni i Trenit, me fillimin e punimeve aty të Bulevardit të Ri.

Pas shumë debatesh mbi këtë të fundit, ndërkohë që banorët protestonin jashtë dyerve të bashkisë, Këshilli vendosi shtyrjen e miratimit të fondit shtesë prej 160 milionë lekësh, që nuk përkon me vlerën e çmimeve në treg për metër katror të banesave.

Por në fund këshilltarët e djathtë janë larguar nga salla pas votimit dhe miratimit të shkarkimit të të djathtëve në qarqe dhe në vend të tyre emërimin me zëvendësues të majtë.