TIRANE- Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në një studim të fundit të sajin e ka renditur Shqipërinë si vendin e parë në Europë për nivelin e kredive bankare me probleme.
Sipas këtij studimi, Shqipëria ka nivelin më të lartë të huave të pakthyera ndër ekonomitë në zhvillim në Europë me 24.4% të portofolit të kredive të dhëna, duke zënë keshtu vendin e parë. Në rajon, pas Shqipërisë për nivelin e kredive me probleme renditen Maqedonia, me 0.8%, Bosnja me 7%, Mali i Zi me 7% dhe Serbia me 6.9%.
I vetmi vend ndër ekonomitë në zhvillim në Europë dhe Azi me nivel më të lartë huash bankare të pashlyera se Shqipëria rezulton Kazakistani, me 36.7% të portofolit bankar, sepse ka patur rritje eksponenciale të totalit të huave në një periudhe relativisht të shkurtër kohe.
Ulja e dërgesave të emigrantëve ka ndikuar, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në uljen e aftësisë paguese të klientëve shqiptarë, pa lënë mënjanë uljen e madhe të ritmit të rritjes ekonomike të Shqipërisë. Një tjetër arsye është dhe detyrimet e papaguara të qeverisë ndaj bizneseve private, për punët publike të kryera.
Për nivelin e lartë të kredive me probleme që ka Shqipëria, më herët kanë shprehur shqetësimin e tyre edhe Banka Botërore me FMN-në, lidhur me pasojat që sjell në rritjen ekonomike të vendit.