TIRANE- Mangësia në kuadrin legjislativ për sa i përket mënyrës se si do të veprohet me fshirjen e borxhit të keq në sistemin bankar, ka bërë që Financat të hartojnë një projektligj për t'i dhënë një zgjidhje këtij problemi. Borxhet e këqija ose kreditë e këqija, në sistemin bankar shqiptar arrijnë deri në afro 25% të kredive totale. Kjo do të thotë se në 1 nga 4 kredi të dhënë nga bankat, ekziston një mundësi e lartë që të mos mund të shlyhen.
Propozimi nga Financat, në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1 dhe 155 të Kushtetutës, bëhet në kuadër të modifikimit të nenit 24 të Ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, "Për tatimin mbi të ardhurat" të ndryshuar". Ky modifikim parashikon shtimin e një pike të dytë, sipas së cilës kredia e keqe do të njihet nga tatimet si shpenzim i zbritshëm për bankat, nëse do të plotësoheshin dy kushte.
Fshirja
Një nga dy kushtet që duhet të përmbushen, në mënyrë që kreditë e këqija të institucioneve kredidhënëse banka ose jo banka të licencuara nga Banka e Shqipërisë të fshihen, janë: a) të kenë kaluar 365 ditë pas depozitimit të kërkesës për fillimin e procedimit të ekzekutimit të detyrueshëm te përmbaruesi, në rast se kredia është e siguruar me pasuri të luajtshme/paluajtshme (kolateral);ose b) të kenë kaluar 365 ditë pas lëshimit nga gjykata të urdhrit të ekzekutimit për asete të ndryshme që mund të zotërojë debitori, në rast se kredia nuk është e garantuar me pasuri të luajtshme/paluajtshme (kolateral). Këto janë ndryshimet që propozohen do t'i shtohen nenit 24 të Ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, "Për tatimin mbi të ardhurat" të ndryshuar".
Konsultimi
Ky draft është dërguar për konsultim edhe tek Ministria e Drejtësisë, nga e cila është marrë një reagim pozitiv. "Projekti është dërguar në Ministrinë e Drejtësisë, e cila është shprehur dakord me përmbajtjen e projektit, duke sugjeruar ndryshimin e aspektit teknik lidhur me trajtimin si shtesë dhe jo ndryshim të nenit 24 të Ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, "Për tatimin mbi të ardhurat" të ndryshuar".
Lidhur me këtë sugjerim u vlerësua që neni 24 të rregullohet si ndryshim për shkak të ndryshimeve që i janë bërë dhe pikës 1 të projektit në aspektin e numërtimit të tij. Ndryshimi në numërtim do të krijojë qartësi në referim të dispozitave të këtij neni"-thuhet në relacionin e projektligjit.