TIRANE - Mbi 100 tonë mbeturina janë pastruar këtë të shtunë, gjatë aksionit të zhvilluar nga Ministria e Mbrojtjes. Rreth 1 mijë forca ushtarake dhe 80 mjete të Forcave të Armatosura kanë pastruar disa akse rrugore në vend, me gjatësi totale rreth 83.5 kilometra.
Ashtu si edhe në aksionet e zhvilluara nga ushtria shqiptare në fazën e parë të këtij aksioni të dy ditëve më parë, sërish është vënë re mospjesëmarrja e pushtetit vendor.
Kjo fazë e dytë e aksionit të Forcave të Armatosura për pastrimin e territorit, është inspektuar ditën e sotme edhe nga Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli e shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA. gjeneralmajor Jeronim Bazo.
Ndalesa e parë e ministres së Mbrojtjes ka qenë pika doganore e Morinës, ku forca të shumta të ushtrisë ishin duke pastruar territorin; dhe më pas kanë inspektuar aksionin edhe në pikat e tjera ku ishin të angazhuar efektivët e ushtrisë.
Në aksionin e sotëm të zhvilluar në akset rrugore: Dogana Morinë-Ura e Drinit Kukës 20 km; Milot-Rubik 12 km; Milot-Kukës 32 km; Kamëz-Vorë 12.5 km dhe Kashar-Aeroporti i Rinasit 7 km; janë angazhuar 1000 forca të ushtrisë dhe 80 mjete.
Por, duket se jo çdo gjë ka shkuar sipas parashikimit. Sipas ministres së Mbrojtjes, edhe pse është kërkuar bashkëpunim, disa njësi vendore nuk janë treguar të gatshme t'i bashkohen kësaj nisme.
Duke vënë theksin në mbajtjen pastër të ambientit, ministrja Kodheli tha qeveria ka disponibilitetin maksimal për ta mbajtur të pastër mjedisin. Ndërsa e cilësoi gjendjen mjedisore në të gjithë territorin e vendit si "Emergjencë Mjedisore".
Ndërkaq, në takimet që zhvilloi me disa prej banorëve të këtyre zonave, ministrja Kodheli u ka tërhequr vëmendjen atyre, dhe u ka kërkuar që ta mbajnë të pastër ambientin në të cilin jetojnë, si dhe u bëri thirrje të gjithëve që të bëhen pjesë e këtij aksioni.
Mbetjet e nxjerra janë transportuar me mjetet e Forcave të Armatosura për në vendgrumbullimet e tyre.
Ky aksion, i nisur prej pak ditësh, sipas ministres së mbrojtjes Mimi Kodheli, do të vijojë edhe përgjatë bregdetit shqiptar, me qëllim që sezoni turistik ta gjejë vendim më të pastër.
Aksioni i zhvilluar sot, i përket fazës së dytë të nismës së ndërmarrë nga Ministria e Mbrojtjes, e cila edhe për dy fundjava të tjera do të vijojë në pastrimin e akseve kryesore të vendit.