Qyteti i Shkupit shkel ligjin për përdorimin e gjuhëve?!

2015-08-21 0

Qyteti i Shkupit aplikon standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për përdorimin e gjuhës shqipe. Tabela në hyrje të godinës së qytetit të Shkupit mund të jetë në dy gjuhë, në maqedonisht dhe shqip por jo edhe tabelat e reja që janë vendosur ditëve të fundit nëpër urat kryesore të kryeqytetit.

'Dje nga Qyteti i Shkupit thanë se gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në nivel të qytetit, dhe sipas tyre komunat që duhet ta respektojnë ligjin për përdorimin e shqipes, janë vetëm Komuna e Çairit, Shuto Orizares dhe ajo e Sarajit'.

Autoritetet në Qytetin e Shkupi mbeten në qëndrimin e një dite më parë se gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në gjithë territorin e Qytetit të Shkupit.

"Në bazë të nenit 7, paragrafi 2 të Ligjit për emërtim rrugës, sheshesh, urash dhe objektesh të tjera infrastrukturore "në komunën në të cilën ka të paktën 20% të qytetarëve që përdorin gjuhë tjetër nga ajo maqedonase, emri i rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, përveç maqedonishtes dhe alfabetit të saj cirilik, shkruhen edhe në gjuhën dhe alfabetin që përdor popullata mbi 20% e asaj komune. Komuna të tilla në Qytetin e Shkupit janë ajo e Çairit, Komuna e Sarajit dhe Shuto Orizares".

'Ky konstatim i qytetit të Shkupit nuk mban dhe bie ndesh me atë që parasheh ligji dhe kushtetuta e vendit, ku thuhet se në atë qytet ky jetojnë mbi 20% të komunitetit jo-shumicë, gjuha e tyre është gjithashtu gjuhë zyrtare'.

Ura "Goce Dellçev" gjendet rrugës për në Qeveri. Para rinovimit të saj ekzistonte një tabelë e madhe, por vetëm në maqedonisht. Tabela e re sërish nuk mori parasysh ligjin për përdorimin e gjuhës. E njëjta shkelje është bërë edhe në urat "Nënë Tereza" që fillon nga Vero 2 deri tek Akademia e Shkencave dhe Arteve, si dhe urën tjetër "Liria" nga hoteli "Holiday Inn" për tek Ministria e Jashtme. Për shkelje të ligjit për përdorimin e gjuhëve parashikohen dënime deri në 5 vjet burg, në bazë të nenit 138 të Kodit Penal. Valmir Kuçi