Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski ka shkelur Kodin Zgjedhor me publikimin e llogaridhënies në edicionin e ditës së shtunë të gazetës ditore në gjuhën maqedonase 'Dnevnik' e cila u pagua me mjete të buxhetit të qytetit të Shkupit. Kështu thotë zëdhënësi i LSDM-së Petre Shilegov. Ky i fundit i bëri thirrje Komisionit për Antikorrupsion që të marr masa në pajtim me kompetencat që kanë pasi sipas tij Trajanovski ka shkelur nenin 74-D nga Kodi Zgjedhor.
"Sipas nenit 75 paragrafi 4, që nga dita e shpalljes së zgjedhjeve e deri në përfundimin e tyre, radiodifuzerët dhe mediat e shtypura nuk guxojnë të emetojnë, përkatësisht të publikojnë reklama të financuara nga buxheti i Maqedonisë, nga buxhetet e komunave, nga Qyteti i Shkupit si dhe nga të gjithë personat e tjerë të cilëve me ligj u është besuar ushtrim i kompetencave publik", deklaroi Petre Shilegov, LSDM. Alsat-M