A1 Report - Vlorë dhe Korçë, shoferët e furgonëve bllokojnë rrugët

2015-08-21 1

VLORË/KORÇË- Vazhdon protesta e furgonëve 8 plus 1 në disa akse rrugore të Shqipërisë. Sot po protetestohet në hyrje të autostradës nga Vlora dhe në Korçë.

Më shumë se 50 drejtues furgonash në protestë kanë bllokuar autostradën Vlorë-Fier. Protestat disaditore të nisura pas urdhërit, që nuk lejon furgonët të marrin pasagjerë në kthim, sot është përqendruar në hyrje të autostradës Vlorë-Levan. Nga pronarët e këtyre mjeteve është bllokuar hyrja e rrugës për në Vlorë për çdo mjet tjetër. Rruga u bllokua për më shumë se 20 minuta.

Protesta e taksive 8+1 ka vijuar për disa ditë radhazi protestën, duke e paralizuar plotësisht këtë shërbim në të gjitha linjat që lidhin kryeqytetin dhe qytetet e tjera kryesore të vendit tonë.

Sipas taksistëve, vijimi i protestës së drejtuesve të automjeteve të këtij lloj shërbimi do të vazhdojë, pasi kërkesat e parashtruara prej tyre më herët janë injoruar nga qeveria gjatë gjithë kësaj jave.

Në ditën në vazhdim protesta e drejtuesve të furgonave 8+1 do të vijojë, duke bllokuar rrugën kryesore jo për 20 minuta, por për disa orë.

Ndërsa në Korçë, drejtuesit e furgonave 8+1 janë zhvendosur në aksin Korçë- Pogradec dhe Korçë- Kapshticë. Drejtuesit e furgonave kanë bllokuar akset nacionale, duke ndaluar vetë furgonat me targa të bardha.