TIRANE- Tashmë kur kanë kaluar 150 ditë nga momenti kur qeveria e koalicionit PS-LSI nisi mandatin qeverisës, qytetarët kanë krijuar një mendim apo gjykim të tyren mbi punën e deritanishme të bërë nga ministrat, por edhe nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. "Shqiptarja.com" ka nisur sot prej orës 16:00 një sondazh të ri, i cili teston opinionin publik, si dhe mendimet e njerëzve mbi politikën.
Çdo qytetar dhe lexues i "Shqiptarja.com" me një klikim mbi emrin e një ministri apo deputeti mund të bëjë përzgjedhjen e tij, sipas gjykimit personal për punën e ministrave të qeverisë Rama-Meta në 150 ditë qeverisje. Po kështu, qytetarët mund të bëjnë përzgjedhjen e tyre mbi emrin e një deputeti sipas subjektit politik që ai përfaqëson, sa i takon impenjimit të tyre në përfaqësimin e interesave të zgjedhësve në Kuvendin e Shqipërisë.
Ky sondazh vlen si një tregues i përgjithshëm i perceptimit të qytetarëve lidhur me punën e ministrave dhe impenjimit të 140 parlamentarëve në Kuvendin e Shqipërisë, duke pasur si bazë gjykimin dhe vlerësimin personal të lexuesve të "Shqiptarja.com". Për këtë fakt vlen të theksohet se ky "sondazh" nuk ka një bazë shkencore, pasi nuk kryhet mbi një kampion të seleksionuar votuesish.
Në sondazhin "Si po punojnë ministrat dhe deputetet" e publikuar në faqen online të "Shqiptarja.com", çdo vizitues mund të votojë vetëm një herë për një anëtar të qeverisë dhe vetëm një herë për një deputet.