A1 Report - Korrupsioni,Rama takon kreret e institucioneve te pavarura

2015-08-21 0

TIRANE- Kryeministri Edi Rama mbledh në një takim krerët e institucioneve të pavarura për të kërkuar thellimin e bashkëpunimit si dhe për të rritur forcën ndëshkuese në lidhje me rastet e korrupsionit dhe ndëshkimin e zyrtarëve të çfarëdo niveli.

Në takimin që u zhvillua sot në kryeministri kanë qenë të pranishëm Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Lefterie Lleshi, Inspektorja e Përgjithshme e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave, Zana Xhuka, si dhe Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa.

Kryeministria përmes njoftimit për shtyp informon se "u diskutua mbi forcimin e urave të bashkëpunimit mes institucioneve ligjzbatuese dhe Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit."

"Gjatë fjalës së tij Kryeministri theksoi rëndësinë e pasjes së një bashkëpunimi sa më efikas për të garantuar një proces të konsoliduar të shkëmbimit të informacionit dhe për të rritur forcën ndëshkuese në lidhje me rastet e korrupsionit dhe ndëshkimin e zyrtarëve të çfarëdo niveli. Për më tepër, Qeveria së bashku me institucionet e pavarura duhet të ndërmarrin veprime në unison për të adresuar probleme kyçe të axhendës evropiane me qëllim anëtarësimin e afërt në BE."- nënvizohet në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga kryeministria.

Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, Bledar Çuçi i cili ndodhej në këtë takim kërkoi nga krerët e institucioneve të pavarura kushtetuese të kenë më shumë bashkëpunim dhe të mbajnë pozicionin e pavarur e kushtetues

"Ka vend për bashkëpunim të ngushtë të të gjithë aktorëve, por gjithsecili duke mbajtur pozicionin e tij të pavarur e kushtetues" -- u shpreh Çuçi duke përmendur nevojën për strukturimin sa më të mirë të marrëdhënies midis Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit dhe institucioneve të pavarura në mënyrë që të rritet efikasiteti i luftës kundër korrupsionit.

Informohet se nga të gjithë krerët e institucioneve të pavarura u shpreh mbështetja e plotë në punën dhe objektivat e Qeverisë dhe të Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit. Gjithashtu u ra dakord mbi ngritjen e bashkëpunimit në nivelin e duhur, si dhe ndërmarrjen e një serie veprimesh konkrete dhe për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin në Shqipëri.

Kjo është hera e parë që kryeministri Edi Rama ka mbledhur në një takim krerët e insitucioneve të pavarura që me marrjen e qeverisë.

Free Traffic Exchange