TIRANË- Ministria e Shëndetësisë nuk tërhiqet nga VKM-ja për uljen e marzhit të fitimit për farmacitë. Zv.ministrja Milva Ikonomi u shpreh se skema e re prek vetëm një të tretën e medikamenteve që tregtohen në farmaci. Me fondet e kursyera do të blihen më shumë barna të destinuara për plotësimin e nevojave të pacientëve.
"Marzhi tregtar për barnat që blihen nga instituciont shëndetësore në vendin tonë do të shkojnë në një masë deri në 3 për qind. Dhe nga e gjithë kjo ulje që po bëhet do të synohet që krijohet një fond më i madh, i cili do të japë mundësinë të ofrohen më shumë barna. Pra, me të njëjtën sasi parash që ne kemi në dispozicion, arrijmë të blejmë më shumë barna për popullatën dhe këto barna të kenë një cilësi më të mirë", u shpreh zv.ministrja Ikonomi në një deklaratë për mediat.
Më tej, Konomi tha se nga paketa fiskale 2014, farmacitë përfitojnë nga ulja e TVSH dhe duke qenë se një pjesë e madhe e aktivitetit të tyre janë barna me rimbursim me marzhe të ulëta, nuk gjejmë arsye për të ndryshuar VKM pasi fitimet e farmacive, nuk bien ndjeshëm.
'Ky vendim qeverie funksionon vetëm për ato barna që janë në tregtim të lirë. Ndërsa barnat që vijnë nga lista e të rimburushmeve marrin të njëjtin marzh tregtar si më parë", sqaroi Ikonomi.
Zëri zyrtar i ministrisë së shëndetësisë sqaroi se ulja e marzhit të barnave në 20 për qind do të jetë në përfitim të drejtë për drejtë për pacientin. Deklarata erdhi një ditë pas ankesës së Urdhrit të Farmacistëve se qeveria u ka ulur marzhet e fitimit pa konsultime me ta si palë e interesuar.