A1 Report - Kushtetuesja shtyn me 11 shkurt ankimimin e PD-se per aktin normativ

2015-08-21 0

TIRANE- Gjykata Kushtetuese ka shtyrë për në 11 shkurt shqyrtimin e ankimimit të Partisë Demokratike për shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të Aktit Normativ për ndryshimin e buxhetin Vjetor 2013.

PD kërkon shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të Aktit Normativ nr. 6, datë 04.10.2013 të Këshillit të Ministrave "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 119/2013 "Për buxhetin e vitit 2013"

Ndërkohë që nesër shqyrtohet ankesa e dytë e PD-së për shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr.932, datë 30.09.2013 "Për unifikimin e kompetencave të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) në zonat me rëndësi kombëtare dhe në territor".

Në fund të muajit nëntor të vitit 2013, Partia Demokratike depozitoi dy kërkesa për të shpallur si antikushtetuse vendimet e qeverisë për rritjen e kompetencave të INUK si edhe për marrjen e huas me aktin noramtiv të qeverisë për buxhetin vjetor të vitit 2013. Në secilën prej akt-padive, demokratët dhanë argumentet e tyre juridike, sipas të cilëve vendimi për kompetencat e INUK-ut është antikushtetues sepse cenon të paktën 5 parime kushtetuese, që nuk njohin të drejtën e pronës dhe i japin qeverisë kompetencat e pushteti lokal dhe atij gjyqësor.

Për aktin normativ që ndryshoi buxhetin vjetor të vitit 2013, PD-ja argumentoi padinë e saj, duke thesuar se cenon rëndë interesin publik. Sipas opozitës, në rastin konkret, interesi publik është i rrezikuar si pasojë e papërgjegjshmërisë së qeverisë për rritjen në mënyrë absurde të borxhit publik, duke rrezikuar, siç thonë në kërkesën e tyre demokratët, stabilitetin makro-ekonomik të vendit dhe duke çuar Shqipërinë në recesion ekonomik.

Shkrimi u publikua sot (28.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)