A1 Report - Svoboda:I zhgenjyer qe s'ju dha statusi, shpresojme ne qershor

2015-08-21 0

TIRANE- Kryetari i grupit Socialdemokrat në Parlamentin Europian, Hanes Svoboda, shprehet i zhgënjyer me faktin se Shqipërisë nuk iu dha statusi në Dhjetor 2013, ndërsa garanton mbështetjen e tij për integrimin europian të vendit në BE. Svoboda thotë se shpreson se "vendi ynë do të marrë statusin e vendit kandidat në BE në qershor 2014". Kjo është vizita e parë e Svobodas në Tiranë pas ndërrimit të qeverisë, me ftesë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Gjatë një takimi me studentë të një universiteti privat në kryeqytet, Svoboda thotë se "u zhgënjyem që nuk e morët statusin kandidat", ndërsa thekson se është e rëndësishme që të vijohet me reformat në mënyrë që t'i hapet rrugë procesit të integrimit.

"Jam i zhgënjyer që nuk e morët statusin kandidat. Unë jam pro Shqipërisë në Bashkimin Europian, dhe shpresoj që Shqipëria të marrë statusin në Qershor. Shqipërisë duhet t'i jepet ky shans, por e rëndësishme është që qeveria të kryejë reformat. Parësore është respektimi i të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike", u shpreh Kryetari i grupit Socialdemokrat në Parlamentin Europian, Hanes Svoboda.

Duke u ndalur tek hapat që duhet të realizojë qeveria shqiptare dhe reformat që duhet të kryejë në rrugën e saj drejt integrimit europian, Svoboda tha se "Shqipëria duhet të tregojë vullnet për të mposhtur skeptikët".

"Të luftojmë për zgjedhje të përbashkëta Europiane në aspektin ekonomik. Duhet luftuar papunësia dhe diferencat mes shtresave shoqërore. Realizoni reformat e duhura për t'iu bashkuar Bashkimit Europian, si dhe shpresoj që do ta tregoni forcën që duhet për të mposhtur skeptikët", u shpreh Svoboda.