A1 Report - Shkupi: Radika,s'preket pa lejen tuaj, Koka: Projekti na demton

2015-08-21 2

TIRANE- Kryeministri Edi Rama fton në Tiranë dy ministrat shqiptarë të Maqedonisë për të sqaruar qeverinë por dhe opinionin publik në lidhje me projektin e ndërtimit të hidrocentralit në Fushën e Lukovës, i cili do të shkaktonte devijimin e lumit Radika.

Pas takimit me kryeministrin, dy ministrat shqiptarë të qeverisë maqedonase, Valon Saraçini, ministër i Ekonomisë dhe Abdylaqim Ademi, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kanë dalë në një konferencë të përbashkët me 3 ministrat shqiptarë: ministri shqiptar i Energjetikës, Damian Gjiknuri, ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Dy ministrat e qeverisë së Maqedonisë kanë sqaruar se bëhet fjalë për një projekt- ide, i cili ende nuk është finalizuar, pasi fillimisht duhet të përfundojë një projekt- studim për impaktin në ambientet jetësore, i cili do të jetë bazë për të marrë vendimin nëse do të ndërtohet ky projekt. Ata kanë dashur të nënvizojnë se projekti do të jetë gati në Qershor dhe do i prezantohet vendeve fqinje. Nëse nuk gjendet konsensusi, atëherë nuk do të realizohet.

Në emër të qeverisë shqiptare, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati tha se, kjo qeveri në çdo moment do të mbrojë integritetin territorial dhe interesat kombëtare. Ndërkohë që ministri i Mjedisit, Lefter Koka u shpreh se: "Ndërtimi i HEC na shkakton dëm ekonomik. Nuk kemi luksin të bëjmë kompromise në kundërshtim me konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare".

Takimi u zhvillua në Kryeministri dhe më pas u zhvillua konferenca e përbashkët para gazetarëve në Kryeministri.