A1 Report - Problemet e brendshme ne senatin e SHBA, i zgjasin mandatin e Arvizu

2015-08-21 1

Një përplasje në senatin amerikan mes senatorëve republikanë dhe atyre demokratë ka sjellë dhe bllokimin e emërimit të ambasadorit të ri të SHBA në Shqipëri Donald Lu. Dhe bashkë me ambasadorin Lu për këto probleme të brendshme në senatin amerikan janë bllokuar dhe 23 emërime të tjera ambasadorësh të SHBA në shumë vende të tjera të botës. Zgjatja përtej limiteve i emërimit në senat të ambasadorit Lu, ka sjellë dhe shtyrjen për tre muaj të mandatit të ambasadorit aktual të SHBA në Tiranë, Alexandër Arvizu, i cili ndonëse duhej të linte detyrën, në mungesë të zëvendësuesit të tij vijon të ushtrojë me kapacitet të plotë të gjitha funksionet e ambasadorit.

Sipas burimeve të ambasadës së SHBA në Tiranë janë senatorët amerikanë ata që kanë sjellë dhe bllokimin e emërimit të ambasadorit Donal Lu dhe ambasadorëve të tjerë amerikanë në vende të ndryshme të botës, nën argumentin se nuk votojnë asnjë emërim të Obamës derisa të plotësohen kërkesat e paraqitura në seanat, mes të cilave dhe zbardhja e së vërtetës së sulmeve në ambasadën amerikane në Begazi. Në këtë mënyrë as ambasadori i ri i dekretuar nga Obama s'vjen në Tiranë pa votën e republikanëve në senat, dhe as ambasadori aktual Arvizu nuk mund të largohet nga Tirana ku po ushtron mandatin e tij përtej limiteve kohore, për shkak të problemeve të brendshme në Senatin e SHBA. Kongresi pritet t'i fillojë punimet në javët e ardhshme dhe miratimi i kandidaturave pritet të jetë në rend të ditës.

Senatori republikan Lindsey Graham ishte zotuar se do të bllokonte të gjitha emërimet e reja të Presidentit Obama, për t'i bërë trysni administratës të jetë më transparente për ngjarjen e Bengazit, ku nga sulmi ndaj konsullatës amerikanë në Libi u vranë 4 persona, mes tyre edhe ambasadori amerikan. Emërime si ato ku bën pjesë kandidatura e ambasadorit Lu, zakonisht miratohen në senat me konsensus unanim, pa qënë nevoja e një votë të regjistruar. Kandidatura e Lu është miratuar nga komisioni i marrëdhënieve me jashtë të Senatit, s'ka asnjë pengesë tjetër përpos problemeve në sanat.