A1 Report - Tenderat dhe vizat, Spiro Ksera mund te thirret si deshmitar

2015-08-21 5

Ish-ministri i Punës Spiro Ksera pritet të jetë dëshmitari VIP i prokurorisë së Tiranës, në çështjen penale për trafikimin e tre personave nga Shqipëria në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ksera, në periudhën kur tre shtetas nga Elbasani, dy femra dhe një burrë janë larguar në Amerikë, duke u maskuar si punonjës të Ministrisë së Punës, ka drejtuar këtë dikaster si dhe ka firmosur për marrjen në punë të tre individëve, të cilët disa kohë më parë janë kapur në SHBA, me dokumenta të parregullta.

Për pasojë, në prokurorinë e Tiranës për rastin konkret ka depozituar kallëzim penal Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Ambasada Amerikane. Tashmë hetimi po verifikohet me shumë imtësi nga prokurorët e njësisë hetimore Task-Forcë, të cilët janë në pritje të letërporosisë nga SHBA, ku nga pëkrgjigjia e së cilës do zbardhet e plotë mënyra e veprimit të ish-zyrtarëve të ministrisë së Punës. Ndërkohë dy ditë më parë njësia Task-Forcë, dërgoi në gjyq 5 ish-zyrtarët e ministrisë Kleves Bitro, Murat Mehmeti, Flora Batusha, Besnik Dema dhe Ilir Ibrahimi, të cilët kanë organizuar nëj tender fiktiv për spotet publicitare të festës së "1 Majit", duke i shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit prej 92 milion lekë të vjetra.

Firmosi punësimin
Burime pranë prokurorisë së Tiranës, konfirmojnë se Spiro Ksera ka qënë njeriu që ka firmosur marrjen në punë të tre personave që kanë udhëtuar në drejtim të SHBA, duke u prezantuar si punonjës të ministrisë. Ende nuk dihet nëse ky dokument është falsifikuar nga Kleves Bitro, apo ndonjë person tjetër në ministri, por për të hedhur dritë mbi këtë çështje, gjatë hetimit pritet të pyetet dhe ish-ministri Spiro Ksera. Veç tij, prokuroria e Tiranës do thërasë për të pyetur dhe shtetas të tjerë që kanë dijeni rreth trafikimit të njerëzve nga zyrat e ministrisë së Punës në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Aplikimi nga ministria
Nga hetimet paraprake të kryera, është provuar se tre shtetasit kanë aplikuar për vizë Amerikane nga IT "Ajtia", e ministrisë së Punës.Një veprim të tillë nuk me ka kryer asnjëri prej tyre, por këtë gjë e ka bërë sipas prokurorisë, ish-drejtori i Kabinetit Kleves Bitro, që tashmë është shpallur në kërkim policor. Bitro, u ka marrë të dhënat personale tre personave dhe kundrejt shumave financiare, ka aplikuar në vend të tyre nga IT, e ministrisë së Punës, duke i paraqitur tre shtetasit si punonjës të Ministrisë, të cilët ishin përzgjedhur të udhëtonin në drejtim të SHBA, për të marrë pjesë në një seminar pune.