A1 Report - Veliaj:Kush mbush moshen edhe pa vite te siguruara del ne pension

2015-08-21 1

Skema e pensioneve do te ndryshojë rrënjësisht. Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, gjatë një takimi me gazetarët ka shpjeguar se dikasteri që ai drejton, nën varësinë e të cilit ka kaluar edhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore, po bën gati draftin me të gjitha detajimet se si do të funksionojë skema e përfitimit të pleqërisë.

"Ajo që synojmë është të kemi një skemë sociale, ku një person që ka mbushur moshën për të dalë në pension, të mos ketë me se të ushqehet, sepse nuk ka punuar apo plotësuar vitet e nevojshme për pension. Pikërisht për këtë arsye ne do të fusim pensionin social, që do ta përfitojnë të gjithë ata që kanë mbushur moshën e pensionit, pavarësisht se sa vite pune kanë të siguruar. Skema aktuale ka pasur tavan për pensionin, pavarësisht sa e ke rrogën, pensioni nuk mund të dalë më i lartë se 24 mijë lekë në muaj, por nuk ka pasur dysheme, ka pasur pension fshati dhe qyteti', tha Veliaj

Ai shtoi se "ne do të vendosim dyshemenë, pra që është pensioni social, do të heqim ndarjet pension fshati dhe pension qyteti, si dhe do të heqim tavanin. Që do të thotë se nëse dikush që ka një pagë të lartë dhe dëshiron që të paguajë më shumë kontribute që të përfitojë një pension më të lartë pleqërie tashmë e ka mundësinë ta bëjë këtë. Këtë reformë thelbësore ne kemi ambicie ta mbyllim brenda këtij vit".

"Ekspertët po punojnë me draftin, pas muajit shkurt ne do të nisim turin e diskutimeve në çdo rreth të vendit dhe shpresojmë ta kalojmë për miratim para se parlamenti të nisë pushimet e vreës. Por dua të theksoj se kjo reformë nuk do të prekë ata që janë në moshë pensioni, por është një draft që i drejtohet fashës së moshës së atyre që sot janë 40 vjeç", - ka shpjeguar Veliaj.

Sa i përket propozimit për rritjen e moshës së daljes në pension, në 65 vjeç për gratë dhe 70 për burrat, ai ka theksuar se nuk është përkrahës i kësaj ideje, pasi sipas tij, është më mirë që të hapen vende pune për të rinj se sa të zgjatet mosha e punës për një person të moshuar.

Një tjetër pikë ku Veliaj e ka vënë theksin ka qenë edhe pagesa e aftësisë së kufizuar. Sipas tij, pas ndërhyrjes në skemën e ndihmës ekonomike, tashmë do të nisë verifikimi i pagesësës së aftësisë së kufizuar. "Aktualisht e përfitojnë këtë pagesë 265 mijë persona. Unë po ju them se të gjithë këto ne do t'i rikontrollojmë për të parë, nëse e meritojnë vërtetë apo kanë abuzuar me të", - ka deklaruar ministri Veliaj. Po ashtu ai ka bërë të ditur se deri në fund të janarit do të jepen të gjitha pagesat e prapambetura për personat me aftësi të kufizuar.

Free Traffic Exchange