A1 Report - Viti i Ri, festa ne qytetet e Shqiperise

2015-08-21 4

(Gazetar, Elkier Bushkolaj). Sheshe të tejmbushura me njerëz, që festonin dhe qielli që shkëlqen nga fishekzjarret. Kjo ka qenë tabloja e natës së ndërrimit të viteve në të gjitha qytet e vendit.

Tashmë është kthyer në një traditë. Shkodranët preferojnë ta kalojnë natën e ndërrimit të viteve në shtëpitë e tyre, e për të numëruar sekondat e fundit të vitit që lëmë pas, zgjedhin t'i drejtohen sheshit kryesor "Luigj Gurakuqi", si dhe sheshit përpara bashkisë së Shkodrës, e më tej pub-eve të metropolit verior, për të qëndruar deri në agim.

Ceremonia e fishekzjarreve në qendër te qytetit solli një atmosferë krejt të veçantë për Shkodrën. Qytetarët e Lezhës kishin përzgjedhur sheshin Besëlidhja për të pritur natën e ndërrimit të viteve, ndërsa përveç magjisë së fishekzjarreve që krijuan, ata kanë një urim për të gjithë shqiptarët.

Kuksianet ashtu siç festuan kalimin e ekipit të tyre në fazat elimintore të kupës së Evropës, kremtuan dhe vitin e e ri. Fishekzjarret, këngët dhe vallet ishin kryefjalë e kësaj nate. Atmosfera festive e ndërrimit të viteve ishte e pranishme edhe në qytetin e Elbasanit, teksa fishekzjarret ndriçuan qiellin dhe banorët e këtij qyteti pushtuan shëtitoren pranë kalasë.

Kapsollet dhe fishekzjarret pasuan ndërrimin e viteve edhe në qytetin e Fierit. Banorët e këtij qyteti, kryesisht të rinj vërshuan në rrugët kryesore, ndërsa më pas vijuan kremtimet në lokalet dhe restorantet e qytetit.
Reshjet e shiut nuk i penguan vlonjatët të festojnë ashtu siç ata dinë natën e ndërrimit të viteve.

Me çadra dhe fishekzjarrë në duar ata pritën të entuziazmuar momentin e ndërrimit të viteve. Qyteti i gurtë i Gjirokastrës e priti 2014 me fishekzjarre dhe atmosferë festive, ndërkohë pamjet e fokusuara nga kalaja e Argjirosë nuk kanë nevojë për komente.

Edhe qytetarët e Beratit i rezervuan Vitit të Ri 2014 një atmosferë festive, ku qielli i ndriçuar nga fishekzjarret dhe sheshet e tejmbushara me njerëz ishin treguesi më i qartë i kësaj atmosfere.