A1 Report - Sequi "mirupafshim" Shqiperise: Edhe ne postin e ri do punoj per ju

2015-08-22 1

TIRANE - Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati zhvilloi sot takimin përshëndetës me ambasadorin e BE në Tiranë Ettore Sequi, të cilit i mbaron afati në këtë post, ndërsa do të vazhdojë të punojë në kabinetin e Ministrisë së Jashtme të Italisë.

Në fjalën e tij Bushati vlerësoi punën e bërë nga Sequi gjatë këtyre viteve në Shqipëri, ndërsa shtoi se bashkëpunimi me të do të vazhdojë duke parë partneritetin strategjik të vendit tonë me Italinë.

"Do të doja që në rastin e Sequit të mos kishte terma kohorë për shkak të njohje së tij të thellë të Shqipërisë. Jam sot i lumtur që ambasadori Sequit i është besuar një detyrë shumë e rëndësishme si drejtor i kabinetit të Ministrit të Jashtëm në Itali. Ky është një ogur i mirë edhe për marrëdhëniet mes dy shteteve, sepse Itali është një partner strategjik për Shqipërinë, pasi do të mbajë edhe presidencën e rradhës të BE." u shpreh Bushati

Ndërkohë nga ana e tij ambasadori Sequi tha se gjatë këtyre 3 viteve ka ndarë të njëjtin synim me Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë punës së tij, ndërsa shtoi se Shqipëria ka bërë rrugë përpara për integrimin evropian. Duke vazhduar më tej, Sequi tha se për shkak edhe të pozicionit të tij të ri, do të vazhdojë të punojë për vendit tonë.

"Ndjehem nga njëra anë i trishtuar dhe nga ana tjetër shumë i përkushtuar, në një vend ku kam kaluar 8 vjet të jetës sime. Të punoja për BE këtu ka qenë ndër i madh sepse më ka dhënë një privilegj, që të punonim në mënyrë të përbashkët për të njëjtin synim. Gjatë këtyre 3 viteve janë arritur disa objektiva të rëndësishëm. Siç ka thënë edhe Fyle, për Shqipërinë, rruga drejt statusit është e hapur. Po aq e qartë dhe hapur është edhe angazhimi i Shqipërisë për në BE. Dhe së fundmi dua të them se në pozicionin e ri do të kem nderin të punoj sërish për dhe me Shqipërinë." tha Sequi.

Ettore Sequi ka mbajtur postin e kreut të delegacionit të BE-së në Tiranë që prej janarit të vitit 2011, ndërsa në vitin 2004 ka mbajtur postin e zëvendësshefit të misionit diplomatik italian në Tiranë.