TIRANE- Katër persona të maskuar si Babagjyshi i Vitit të Ri kanë shfrytëzuar atmosferën e festave për të kryer një grabitje me armë zjarri në qendrën tregtare "TEG" në kryeqytet, ndërsa një i pestë i priste në automjet për t'u larguar me shpejtësi.
Ngjan si një skenë e filmave hollivudianë, por kjo ngjarje ka ndodhur rreth orës 17:30 në një dyqan argjendarie "Xhelozia" në qendrën tregtare "TEG" në periferi të Tiranës, në një kohë kur edhe numri i qytetarëve në këtë qendër ishte i madh, duke krijuar panik tek ata.
Katër grabitësit kanë hyrë si babagjyshë, duke luajtur me fëmijët në "TEG", dhe për një moment kanë nxjerrë armët dhe i janë drejtuar një argjendarie në katin e parë të qendrës tregtare, në pronësi të shtetasit A. Sh..
Një kamera amatore ka filmuar se si tre babagjyshë grabisnin brenda, ndërsa njëri ruante jashtë. Më pas ka hyrë dhe ky dhe prej argjendarisë kanë dalë tre babagjyshë me çanta të mëdha në duar dhe i fundit, edhe më trupvogli, ka nxituar pa çantë në dorë.
Njëri prej tyre ka nxjerrë një grua bashkë me një fëmijë 10 vjeç që ndodhej brenda argjendarisë dhe ka siguruar derën e saj, ndërsa tre të tjerët kanë zbrazur raftet me ora luksoze, si dhe objektet e florinjta dhe argjendta.
Punonjësit e sigurisë vetëm sa kanë mbajtur klientët e shumtë të qendrës tregtare të ditëve të festave dhe në asnjë moment nuk kanë ndërhyrë, duke mos rrezikuar ndonjë gjakderdhje.
Pasi morën bizhuteritë dhe një sasi të konsiderueshme lekësh grabitësit, kanë zbritur tek vendparkimi i makinës, ku i priste bashkëpunëtori dhe me automjetin tip benz me targa AA147 FY, janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes në drejtim të Lanabregasit, duke përfituar edhe nga errësira.
Pas disa minutash, automjeti është gjetur nga policia i braktisur dhe duke u djegur, në zonën e Surrelit, ndërsa autorët dyshohet të jenë larguar në këmbë.
Policia ka marrë në pyetje dëshmitarët, ndërsa mësohet se një orë më pas është ndaluar nga uniformart blu një person i dyshuar mbi ngjarjen.