TIRANE- Kryeparlamentari Ilir Meta ka paralajmëruar ndërhyrje në rregulloren e Kuvendit. Në një takim të posaçëm me gazetarët për të diskutuar për një tjetër rregullore, atë të akreditimit, akomodimit dhe orientimit të masmediave në Kuvend, Ilir Meta nuk përmendi nenet që do të preken.
Po ashtu për herë të parë Kuvendi i Shqipërisë ka nxjerrë rregulloren e re për mediat që do të ndjekin punimet. Akreditimi mund të jetë ditor, javor, mujor, vjetor ose për të gjithë kohëzgjatjen e legjislaturës.
Akreditimi kryhet në bazë të kërkesës së institucionit mediatik pranë të cilit janë të punësuar personat që do të akreditohen. Në rastin e punonjësve të medias në profesion të lirë kërkesa paraqitet nga vetë personi duke dorëzuar pranë Kuvendit, kërkesën për akreditim, kartë të gazetarit të lëshuar nga një shoqatë gazetarësh e njohur ligjërisht, shkrime personale të botuara, fotografi në përmasat 4x3, periudha për të cilën kërkohet akreditimi.
Në Nenin 31 të rregullores, personat e akredituar pranë Kuvendit të Shqipërisë që ndjekin punimet në seancë plenare dhe organet e Kuvendit, nuk duhet të shprehin shenja miratimi ose mosmiratimi.