SHKODER- Dy motra të mitura, 10 dhe 11 vjeçe të cilat dyshohet se janë autore të një sërë grabitjesh në Tiranë janë arrestuar pasditen e djeshme në qytetin e Shkodrës teksa po kryenin vjedhjen e fundit.
Dy motrat, pjesëtare të komunitetit rom, janë kapur sapo kishin dalë nga një supermarket, në lagjen "Vasil Shanto" të Shkodrës ku kishin arritur të merrnin 93 mijë lekë të reja. Njëra prej vajzave ka habitur shitësen e supermarketit duke biseduar, ndërsa motra tjetër ka hyrë në arkë dhe ka marrë shumën e lekëve. Menjëherë shitësja ka dalë jashtë duke bërtitur. Në atë moment një patrullë policie që po kalonte aty ka mundur të ndalojë motrat m shumën e parave në dorë. Ato janë shoqëruar në polici ku kanë treguar se kishin kryer dhe grabitje të tjera sidomos në Tiranë.Dy motrat janë me banim në Tiranë. Policia dyshon se vajzat shfrytëzoheshin nga të rriturit për të kryer këto grabitje, dhe ka nisur hetimi për këtë. Ata mendohet se janë autore të mbi 50 grabitjeve në Tiranë. Ditën e sotme vajzat janë lënë të lira për shkak të moshës së vogël.