ELBASAN - Pas protesës së 33 ish-punonjësve të Ndërmarrjes së Trajtimit të Studenteve të pushuar nga puna, ka reaguar drejtoresha e këtij instuticioni, Jonajda Doçi.
Në një deklaratë për mediat, ajo pohon se shkarkimi nga puna i këtyre punonjësve ka ardhur si pasojë e reduktimit të buxhetit, ndërsa për këtë vit akademik numri i studentëve që strehon në ambjenet e konviktit është ulur ndjeshëm.
Doçi akuzoi ish-punonjësit edhe për korrupsion, favorizime në zgjedhjen e dhomave më të mira dhe heshtjen për kushtet e ndërmarrjes së trajtimit të studentëve.
"Nga 1300-1400 studentë, që është kapaciteti, numri i tyre ka rënë në 600 studentë. Zotërinjve të djeshëm u vinte mirë kur vidhnin lekët e studentëve, duke i shpërdoruar në kalceto, apo në regjistrimet me lekë në dorë për dhomat më të mira, për rezistencat që mund t'i merrnin vetëm ato që paguanin lekë në dorë.
Kam marrë në dorë një ndërmarrje të administruar në mënyrën më të tmerrshme, gjë që më ka shtyrë të bëj reforma", shprehet drejtoresha e konviktit, Jonajda Doçi.