A1 - Report - "INUK veproi pa dokumenta" kështu lirohet Pallati i Bashës

2015-08-21 1

TIRANE- Mos shoqërimi me një akt-administrativ konkret të veprimeve për bllokimin e kompleksit "Jon" në Vlorë nga ana e INUK, i ka dhënë hapësirë gjykatës së këtij qyteti që të vendosë "pro", 11 paditësve që ju drejtuan gjykatës në 4 nëntor. Në vendimin e parë që Gjykata Administrative në Vlorë ka dhënë, tregohet se INUK në këtë rast ka vepruar mbi asnjë dokument të nxjerë nga vetë ai si institucioni i paditur. Në këtë rast gjyqtari Astrit Sheme argumenton se është detyrë e organit administrative që të nxjerë aktin adminsitrativ në formën e kërkuar nga ligji, pra në formë shkresore, pasi në këtë mënyrë respektohet parimi i përgjegjshëmrisë së organeve të administratës publike dhe nga ana tjetër, garantohet efektivisht të drejtat e palës së cënuar nga akti administrativ, që tia nënshtrojë atë kontrollit gjyqësor.

Ndërkohë që gjatë procesit gjyqësor përfaqësuesi juridik i INUK, ka pohuar se në asnjë moment forcat e policisë dhe INUK, nuk kanë marë masa për mos lejimin e banorëve të futen në banesat e tyre. Sipas INUK, është vendosur bllokimi deri në momentin e dorëzimit të dokumentacionit, pasi fillimisht pronarët e objektit kanë refuzuar të japin dokumentat. INUK, pretendoi se gjykata nuk mund të shprehej, kur në fakt nuk ekzistonte një akt-administrativ.