VLORË - Bllokohet "Pallati i Bashës" në plazhin e Ujit të Ftohtë në Vlorë dhe po bëhen gati procedurat për shembjen e tij. Lajmi jepet nga INUK pas matjeve që i kanë bërë sot këtij objekti inspektorët ndërtimorë dhe jo vetëm atij, por dhe shumë objekteve të tjera që kanë përfituar territor nga deti në Vlorë.
Rreth "kompleksit Jon", ndërtesës së shumëpërfolur këto ditë si e paligjshme e për t'u prishur e vjehrrit të Bashës, sensibilizim që është përcjellë edhe nga "A1 Report" dhe "Shqiptarja.com", janë vendosur sot pasdite rretheqark shiritat e bllokimit dhe gjenden të pranishme forca policie, për të shmangur incidentet.
Edhe pse gazetarët kanë ngulmuar të pyesin më tepër, fillimisht kreu i INUK të Vlorës, Zydi Dajti nuk u shpreh specifikisht, por nënkuptoi se "të gjitha ndërtimet pa leje, si njëkatëshe apo ato shumëkatëshe që zënë territorin e plazhit publik apo lungomares do të prishen pa përjashtim deri në Llogora". Dhe janë plot 190 objekte të tilla, që janë për t'u verifikuar.
Më vonë u konfirmua lajmi i shembjes së ndërtesës së Xhaferr Isufit, vjehrrit të kryetarit të PD dhe kryebashkiakut të Tiranës, Lulzim Basha. Ndërtesë e projektuar për hotel, të cilës sot i është bllokuar parkimi i godinës. .