Dosja e FMN, miliardat e borxhit të lëna pas nga qeveria Berisha

2015-08-21 1

TIRANË - Puna e papaguar, rrugë të ndërtuara, ujë dhe drita të papaguara. Këto janë disa prej zërave të borxhit që qeveria "Berisha", ka lënë për qeverinë pasardhëse. Zërat dhe shifrat janë zbardhur nga një dosje e mbërritur në Komisionin e Ekonomisë në Kuvendin e Shqipërisë, me burim Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Ministria e Financave, ka dorëzuar dosjen me shifrat e borxhit që shtetit shqiptar u ka kompanive të ndryshme, që nuk janë paguar për punën e bërë apo për shërbimin e dhënë.

Janë 55.1 miliardë lekë, që shteti u detyrohet kompanive private, apo nënkontruesve të ndryshëm.

Borxhi më i madh është ndaj kompanive private që kanë punuar në ndërtimin e infrastrukturës rrugore. Borxhi që shteti u ka këtyre kompanive shkon në 11.6 miliardë lekë. Detyrime që shteti u ka kompanive për punë të kryer, por ende të faturuar është 9 miliardë lekë.

Më pas vjen, borxhi që shteti ka për tatim mbi fitimin, një shumë prej 9 miliardë lekësh. Pretentime për TVSH të parivlerësuar, shuma është 7 miliardë lekë. Më pas vjen rimbursimi i TVSH-së, ku shuma e borxhit shkon në 5.9 miliardë lekë.

Një shumë e madhe borxhi, është ndaj kompanisë ÇEZ Shpërndarje, për energji të papaguar, shumë që shkon në 4.5 miliardë lekë.

Gjithashtu edhe ndaj ujësjellës-kanalizimeve, shteti ka një borxh prej 2 miliardë lekësh, që nëse do paguheshin do e nxirrnin këtë sektor nga gjendja në të cilën ndodhet.
Në fund është shëndetësia dhe arsimi, përkatësisht me 3 dhe 2.2 miliardë lekë për sektor.

Tani pritet auditimi i kompanive të huaja për të parë gjendjen reale të borxhit publik që qeveria ka ndaj biznesve të ndryshme.