A1 Report - Vrasja e dyfishtë, Flet e bija: Pasi debatuan u mbyllën në dhomë

2015-08-21 4

GJIROKASTËR - Vajza e ish-efektivit të policisë, Nexhmedin Mustafaraj, i cili vrau më armë zjarri gruan Zenebije Mustafaraj dhe më pas qëlloi dhe veten deklaron se prindërit e saj, fillimisht kishin debatuar në sy të saj për arsye ende të panjohura.

Ngjarja e rëndë u shënua mesditën e djeshme në lagjen "18 shtatori" në qytetin e gurtë. Vajza e çiftit, Suela Mustafaraj, 25 vjeç deklaroi në polici pas ngjarjes së rëndë se prindërit e saj e vijuan më pas debatin në dhomën e gjumit, që më pas e mbyllën me çelës.

Brenda pak minutash sipas dëshmisë së 25-vjeçares, me profesion avokate, u dëgjuan të shtëna me armë zjarri në dhomën ku po konfliktoheshin prindërit e saj. Ajo ka tentuar të hapë derën, por ajo ka qenë e kyçur, kështu që ajo ka telefonuar menjëherë xhaxhain e saj, i cili banonte aty pranë. Me ardhjen edhe të forcave të policisë, në dhomën e gjumit, çifti është gjetur i pajetë në një pellg gjaku.

Vajza e tyre aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë psikologjike dhe është nën kujdesin e mjekëve. Mësohet se autori i krimit, 59-vjeçari vuante nga sëmundja e diabetit, ndërsa e shoqja e tij nga një sëmundje e pashërueshme.

Nexhmedin Mustafaraj, ishte një ndër këngëtarët më të njohur të polifonisë dhe në Gjirokastër njihet si mjeshtër i këngës labe dhe aktualisht ishte punonjës i Bashkisë së Gjirokastrës si përgjegjës i tregut me pakicë. Policia vijon hetimet për zbardhjen e shkaqeve të vërteta të ngjarjes së rëndë.