Hipokrizia, kur Berisha blinte deputetët e PS-së si speca

2015-08-21 21

"Merkato" e deputetëve në Shqipëri sapo ka nisur, duke e kthyer tashmë në të vetmen "industri" politike që po funksionon me kapacitet të plotë në Shqipëri. Vetëm dy ditë më parë është shënuar rasti i kalimit të deputetit të PR Luan Duzha tek LSI. Gjë që ka sjellë alarmin tek Berisha dhe opozita e re, që kanë qënë vetë mjeshtrit e "merkatos" së deputetëve, duke "blerë" nga opozita e majtë plot 13 deputetë ndër vite.

Dhe duke parë se kjo mund të jetë si një sëmundje ngjitëse te opozita, shqetësimi është që mund të lëvizin dhe tre-katër deputetë të tjerë po në drejtim të mazhorancës, duke gjetur një rrugë të ndërmjetme, jo për të shkuar në grupin e PS por tek grupi parlamentar i LSI, çka mund të sjellë në fuqizim të fortë të tij, tashmë me 18 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Por "dezertimi" i Duzhës s'është rasti i parë i ndodhur në historinë e parlamentarizmit në Shqipëri.

Pasi ka filluar kohë më parë, që pas zgjedhjeve parlamentare të 2005, kur PD erdhi në pushtet. Që në atë kohë, "merkato" e deputetëve, kryesisht të opozitës është bërë e modës, duke filluar që me lëvizjen e deputetit të PS, Tom Doshi që kaloi tek PDK, ndërkohë që lëvizi dhe deputeti i PAD, përkatësisht Pashko Ujka në drejtim të PDK. Njëherësh po në këtë sesion parlamentar ndodhi "eksodi" më i madh i deputetëve të PS, teksa 6 deputetë që votuan pro kandidaturës së Topit për President kundër vendimit politik të Grupit të PS, përkatësisht Paulin Sterkaj, Durim Hushi, Taulant Dedja, Bukurosh Stafa, Durim Lamaj, Hamit Kosta, u çregjistruan nga grupi e dolën të pavarur, duke votuar deri në fund për mazhorancën e djathtë.