Mazhoranca e drejtuar nga Berisha me tre votat e ish deputetëve socialistë, përkatësisht Kastriot Islami, Asllan Dogjani e Gjovalin Kadeli si dhe të ish-deputetit të LSI, tashmë i pavarur Dritan Prifti, arriti t'i bënte votat për të rikonfiguruar KQZ, duke shkarkuar Ilirjan Muhon, pavarësisht paralajmërimeve të ndërkombëtarëve dhe përkatësisht të ambsasadorit të SHBA, OSBE dhe BE. Ndërsa përballë kishte bojkotin e opozitës.
Sapo ka rënë "gongu" i Topallit për të votuar, ka plasur sherri në fund të sallës ku ishin vendosur 3 ish-deputetët e PS, Islami, Dogjani dhe Kadeli. Deputeti i PS Gazmir Bizhga ka kërkuar me insistim që tre ish-deputetët e PS të dalin jashtë sallës dhe të mos votojnë rrëzimin e KQZ. Me Bizhgën u bashkua dhe deputeti Ilir Bejtja që u janë drejtuar me fjalë fyese tre ish-deputetëve duke u thënë: "plehra, legenë, shk.., bq...", sharje nga familja e duke u thyer dhe kartat elektronike. Ndërsa te dy deputetët e tjerë kanë qënë Tahiri, Deda, Kola e Malaj të cilët kanë përsëritur të njejtat fjalë, duke u larguar. Ka ndërhyrë Topalli e Garda që nxorën nga sikleti tre deputetët, ndërsa Islami ka shkuar në thellësi të grupit të PD. "Do mbledh Byronë. Ndaj atyre horrave që kërkojnë të kërcënojnë deputetët do marr masa", tha Topalli duke akuzuar PS se dhunon votën e lirë pasi kërkon të mos lejojë deputetët të votojnë. Ndërsa Dogjani ka shpjeguar votën "pro" si votë për ligjin. Islami tha se ndjen keqardhje për PS, por i kuptonte sepse donin të futeshin në lista, por që i falte megjithëse njëri nga deputetët e kishte kërcënuar sipas tij.