Edhe nxënësit do të inkuadrohen në projektin "Këshillim për prindërit-shkollë prindërore". Ky projekt i cili filloi vitin e kaluar shkollor, përfshinte seanca këshillimi për prindërit, fëmijët e të cilëve kishin rezultate të dobëta në mësime, sjellje jo të mirë ose mungesa në orët e mësimit. Deri tani janë thirrur rreth 7000 prindër. Rreth 2000 prej tyre janë thirrur për shkak të mungesave, rreth 4000 për sukses të pamjaftueshëm dhe afro 300 për sjellje jo të mirë të fëmijëve të tyre. Ministri i Arsimit Spiro Ristovski e vlerëson si mjaft të suksesshëm këtë projekt dhe për këtë shkak, vendosi që ai të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm shkollor.
"Prindërit këshilloheshin nëpër grupe, varësisht nga problemi me të cilin fëmijët e tyre ballafaqoheshin, dhe gjatë gjithë seancave këshilluese ata inkuadroheshin në biseda dhe shkëmbenin përvoja të cilat mund t'i përdorin në edukimin e mëtejshëm të fëmijëve. Këshillimi i prindërve zhvillohej në shkollë, një herë në dy javë në seancë prej 60 minutash", tha Spiro Ristovki, ministër i Arsimit.
Ristovski theksoi edhe rolin e rëndësishëm të prindit në procesin arsimor për shkak se sipas tij brezat e rinj burojnë pikërisht nga ata. Prindi duhet të jetë i aftë të parandalojë në çdo kohë veset e fëmijëve, dhe të ketë informacion të plotë mbi aktivitetin e fëmijëve gjatë dhe jashtë shkollës.
"Me këtë masë prindërit përsëri inkuadrohen në sistemin arsimorë dhe iu rritet interesi për zhvillimin dhe realizimin e komponentit edukativ në shkollat fillore dhe të mesme. Aktivitetet do të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm për shkak se për një arsim më cilësor, nevojitet informimi i prindërve", tha Spiro Ristovki, ministër i Arsimit.
Projekti për këshillimin e prindërve filloi implementimin që nga viti 2012 dhe parashikon gjoba prej 500 eurosh për ata prindër që nuk i përgjigjen 3 thirrjeve me radhë të shkollës. Ferikan Iljazi