Balluku: Projekti per "Unazen e Re" vazhdon, asnje familje s'do hidhet ne rruge

2019-02-05 1

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ka deklaruar se projekti për "Unazën e Re" vazhdon dhe punimet në lotin numër 2 dhe 3 po vijojnë.

Balluku ka konfirmuar se gjithçka do të zbatohet sipas procedurave dhe asnjë familje, edhe ato që nuk kanë tituj pronësie të banesave të tyre, nuk do të lihet pa strehim.

Megjithatë, ministrja ka lënë të hapur mundësinë e rishikimit të lotit të tretë të projektit të Unazës së Re, nëse ka vend për përmirësime.

Balluku bëri me dije gjithashtu se i ka kërkuar Autoritetit Rrugor Shqiptar që tenderat të organizohen publikisht dhe të transmetohen nga mediat për të qenë transparente.

Ministrja Belinda Balluku: "Projekti është i përmirësueshëm, por jo i bllokueshëm, aq më pak i anulueshëm. Tirana dhe gjithë Shqipëria që kalon në atë segment kur vjen në kryeqytet, s'mund të merret peng nga askush dhe për asnjë arsye. Është folur e stërfolur për kosto dhe kilometra, por projekti është tejet kompleks dhe me një numër të konsiderueshëm nyjesh, vepra arti, në një distancë relativisht të shkurtër. Por në mes të një zone të populluar ku intensiteti i banimit dhe aktiviteti do të shkojë duke u rritur. Informoj për të larguar çdo mjegull mediatike se loti i 2 dhe 3 vazhdojnë sipas procedurave të kryera. Po ashtu, procesi i shpronësimeve është në vijë sipas ligjit e në respekt të së drejtës të çdo subjekti që gëzon një titull pronësie.

Familje në mes të katër rrugëve, qoftë edhe kur nuk e kanë një titull pronësie, ne nuk do të lëmë. Prishjet e godinave që pengojnë projektin do të vazhdojnë pa asnjë diferencim sipas ligjit. Vetëm pak ditë më parë, Bashkia e Tiranës ka kaluar 8 plane zhvillimi në këshillin e saj teknik, për parcela buzë Unazës. Ndërkohë, kam vendosur krijimin dhe zhvillimin e një tryeze me Bashkinë e Tiranës dhe specialistë që do të vlerësojnë në çdo aspekt teknik projektin e lotit të 3. Duke mos përjashtuar dhe rishikimin e tij, nëse ka vend për një përmirësim që rishikon projektin, gjë që do ta bëjmë në çdo hap me çdo projekt në çdo kantier ku dalin probleme apo lindin ide fituese në të mirë të projektit. Fokusi i këtij vlerësimi do të jetë tek nyja strategjike, te Shqiponja, ku çdo marzh do të konsiderohet me shumë seriozitet.

Së fundmi i kam kërkuar ARRSH-së që të përgatitet që çdo garë publike të organizuar prej atij institucioni të jetë live para kamerave dhe publikut. Ndërkohë që dy projektet strategjike të PPP për akset Milot-Balldren dhe Orikum-Llogara do t'ia përcjell qeverisë dhe pastaj Parlamentit për të siguruar një debat transparent mbi faktet e shifrat në sytë e publikut dhe evituar për aq sa mundemi debatet e neveritshme me akuza e shpifje për çdo punë që baltoset pa u nisur akoma".